Punëtori vdiq pasi ra nga kati i 5-të i pallatit në ndërtim, ndalohet drejtuesi teknik në Tropojë
Drejtuesi teknik i një ndërtimi është ndaluar në Tropojë ditën e sotme, pasi një punëtor ka rënë nga kati i 5 dhe ka humbur jetën. Mësohet se në pranga ka rënë 40-vjeçari me iniciale M.Ç. 40-vjeçari akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Njoftimi i policisë:
Një drejtues teknik është arrestuar pasi akuzohet se nuk ka marrë masat për zbatimin e rregullave të mbrojtjes në punë në ndërtimin e një pallati në qytetin e Bajram Currit. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë, bënë ndalimin e shtetasit M. Ç., 40 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtues teknik i një subjekti për ndërtim pallati, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ky shtetas dyshohet se nuk ka marrë masat për zbatimin e rregullave të mbrojtjes në punë në ndërtimin e një pallati në qytetin e Bajram Currit. Ditën e djeshme, gjatë punës në këtë objekt është rrëzuar nga kati i pestë, shtetasi A. S., 44 vjeç, banues në fshatin Gri, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
