Protesta në aksin Thumanë-Kashar/ Deputetja: Banorët u shoqëruan në komisariat pa shpjegime. Terror që e përhapin për të frenuar reagimin qytetar
Një protestë është zhvilluar ditën e djeshme në segmentin e ri të autostradës Thumanë-Kashar, nga banorët e zonave përreth aksit rrugor.
Protestuesit përveçse kanë bllokuar qarkullimin për automjetet janë përplasur edhe me efektivët e policisë.
Autoritetet kanë përdorur edhe spraj djegës ndaj protestuesve, ndërsa u vendos edhe një tel me gjemba për të ndaluar bllokimin e aksit.
Deputetja Andia Ulliri, ka deklaruar se disa nga protestuesit janë shoqëruar në komisariat pa dhënë asnjë shpjegim.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo i ka bërë thirrje forcave të rendit, të distancohen nga ajo që e quajti arrestim i paligjshëm të banorëve të Fushë-Krujës dhe Krujës.
POSTIMI I DEPUTETES:
Ndodhem në hyrjen e Komisariatit në Fushë-Krujë ku janë shoqëruar disa banorë nga protesta pa dhënë shpjegime.
I kërkoj policisë të distancohen nga arrestimet e paligjshme të banorëve të Fushë-Krujës dhe Krujës.
Protesta ishte paqësore në kërkim të të drejtave të qytetarëve dhe nuk ka patur asnjë shkelje ligjore nga protestuesit.
Ky është një terror që duan të përhapin për të frenuar reagimin qytetar!
Kërkojmë ndërprerjen e çdo zbatimi të urdhërave politik ndaj popullit protestues
Interesat e qytetarëve nuk shiten!
