Zbardhet vendimi i Apelit për vulën e PD

I hapet rrugë rekursit në Gjykatën e Lartë, zbardhet vendimi i Apelit për vulën e PD. Vendimi i Gjykatës së Apelit i datës 11 qershor, i kaloi PD-në ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në arsyetimin e saj, Gjykata e Apelit thekson se grupi i Lulzim Bashës nuk legjitimohej si palë në proces. Vendimi i Apelit la në fuqi vendimin e 25 marsit 2022, të ish-gjyqtarit Agron Zhukri.

Pjesë nga arsyetimi i Apelit

…Autorizimi për përfaqësim te të tretët, është një akt i njëanshëm delegimi kompetencash. Në rastin e autorizimit\prokurës së lëshuar nga personi juridik, nënshkruesi i saj nuk delegon tagra personale por tagra që lidhen eskluzivisht me detyrën apo pozicionin përkatës. Efektet juridike të autorizimit apo vlefshmëria e tij mbaron automatikisht me mbarimin apo humbjen e kompetencave të personit nënshkrues të autorizimit. Me dorëheqjen publike të z.Lulzim Basha në datën 21.03.2022 autorizimi i lëshuar nga ky i fundit për z.Alibeaj ka mbaruar juridikisht dhe nuk ka qënë më i aftë të prodhojë asnjë pasojë juridike. Autorizimi i z.Lulzim Basha i datës 15.09.2021 nuk kishte më vlerë juridike pas datës 21.03.2022, pas dorëheqjes së tij publike. Gjykata e apelit vlerëson se z. Alibeaj nuk ka pasur legjitimim procedural në përfaqësimin e ankuesit PDSH në gjykim dhe në paraqitjen dhe nënshkrimin e aktit “Ankim”. Në kushtet kur përfaqësuesi me autorizim z.Enkelejd Alibeaj, ka bërë ankim kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë pas mbarimit të efekteve juridike të autorizimit, ankimi/apeli i paraqitur nga ky përfaqësues konsiderohet si ankim i bërë nga një person që nuk legjitimohet, si përfaqësues pa tagra.

Për sa më sipër, Gjykata e apelit vlerëson se ankimi i paraqitur nga përfaqësuesi me autorizim z.Enkelejd Alibeaj nuk plotëson parakushtet formale-procedurale për shqyrtimin e tij, pasi është nënshkruar nga një person që nuk legjitimohet të bëjë ankim dhe si i tillë në bazë të nenit 450/ç të KPC, i ndryshuar, nuk duhet të pranohet.

Përsa i përket vendimin nr. 508, datë 22.04.2022 të gjyqtarit të vetëm të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin është pranuar ankimi objekt i këtij gjykimi. Gjykata e apelit çmon se në momentin që gjyqtari i vetëm ka vendosur “pranimin e ankimit”, gjykata rishikuese e cila ka në kompetencë funksionale që të bëjë shqyrtimin e këtij mjeti ankimi, pra që të vlerësojë shkaqet e parashtruara në mjetin e ankimit (ankim, rekurs, ankim/rekurs i veçantë), nuk është e lidhur detyrimisht me vullnetin e gjyqtarit të vetëm, por ka detyrimin që të vlerësojë në mënyrë të pavarur dhe kryesisht plotësimin e kushteve dhe kritereve formale të mjetit të ankimit (ankim, rekurs, ankim/rekurs i veçantë), sipas nenit 450 të KPC. Ky qëndrim, është i bazuar në përcaktimet e nenit 450, pika 3 të KPC, në të cilin është parashikuar shprehimisht se: “Mospranimi i ankimit mund të deklarohet në çdo shkallë gjykimi”.

Vendimi për “mospranimin e ankimit” është një vendim përfundimtar në kuptim të nenit 315 të KPC, ndërsa, vendimi për “pranimin e ankimit”, është një vendim i ndërmjetëm, i cili, do ti nënstrohet kontrollit të gjykatës rishikuese, kur çështja ti paraqitet asaj për shqyrtim.

Zbardhet vendimi i Apelit për vulën e PDZbardhet vendimi i Apelit për vulën e PD