Basha: Propozimet tona për Reformën Zgjedhore fuqizojnë qytetarët
Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me strukturat drejtuese të degës në Vlorë, ku është diskutuar për vijimin e aksionit politik dhe përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme.
Basha u shpreh se përmbyllja e evidentimit të kandidaturave për deputet është prioritare.
Sipas tij, “ekipi duhet të jetë gati sa më parë për t’u dhënë kohë qytetarëve të njihen me ta dhe për të përcjellë përmes tyre programin e prezantuar më 1 qershor”.
“Programi ynë qeverisës, me taksën e sheshtë 9%, tatim fitimi 9%, tatim për të ardhurat personale 9%, dividendin me taksën e sheshtë 9% edhe për profesionet e lira, do t’i japë frymëmarrje ekonomisë duke siguruar mirëqenie për të gjithë. Programi i hartuar nga ekspertët më të mirë vendas e të huaj, do të përcillet në çdo qytet e fshat nga ekipi ynë, për t’iu dëshmuar qytetarëve se ne kemi një vizion të qartë për të dalë nga kriza aktuale, që e ka kthyer Shqipërinë në një çiflig për pak të përzgjedhur të kastës të vjetër politike dhe ekonomike.
Prandaj e gjithë energjia jonë, e strukturave që kemi në Vlorë dhe anembanë vendit, duhet të shkojë te qytetarët, te komunikimi me ta, pa u penguar nga ata që duan ta mbajnë debatin te çështje që nuk kanë lidhje me hallet e shqiptarëve. Politika është shërbim ndaj njerëzve, jo vetëshërbim për politikanët, ndaj të merremi me alternativën që shqiptartët presin”, tha Basha.
Basha theksoi se “propozimet tona për Reformën Zgjedhore fuqizojnë qytetarët dhe e kthejnë parlamentin në një institucion që i shërben atyre”.
