Komisioni Antikorrupsion, Xhafaj: Do ketë tre nëngrupe ekspertësh për reformat

Kryetari i komisionit të posaçëm Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj bëri të ditur sot se javën e ardhshme do të miratohet lista e ekspertëve të nivelit të lartë që do të hartojnë draftin e dokumentit analitik sipas tre shtyllave kryesore: mirëqeverisje, çështje të antikorrupsionit dhe sundimit të ligjit.

Në mbledhjen e komisionit të posaçëm parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, Xhafaj theksoi se “gjatë kësaj periudhe njëmujore nga ngritja e komisionit të posaçëm parlamentar, kemi punuar fort për të përgatitur gjithë procesin me masat organizative të nevojshme”.

“Sot jemi duke hedhur hapin e parë të rëndësishëm, fillimin e fazës së parë të objektit të punës sonë, përgatitjen e analizës. Për ta orinetuar sa më drejtë dhe për ta fokusuar në çështjet kyçe të këtij dokumenti hartimin e kësaj analize, është përgatitur një koncept-ide lidhur me përmbajtjen e këtij dokumenti analitik. Ky është një projekt orientues pasi në vijim dokumenti do të zhvillohet nga grupi i ekspertëve me tre nëngrupe përkatëse sipas 3 shtyllave”, tha ai.

Xhafaj theksoi se janë ekspertët e nivelit të lartë që do të përzgjidhen mbi bazën e propozimeve që kanë ardhur nga bota akademike, shoqëria civile, grupet e interesit dhe  institucionet e pavarura të cilët përmes një procesi analize shumë të thelluar do t’i japin formën e duhur dhe përmbajtjen këtij dokumenti analitik.

“Procesi do të udhëhiqet nga katër parime të rëndësishme. Së pari gjithëpërfshirja. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për pjesëmarrjen e gjithë grupeve politike parlamentare, por me përfshirjen në këtë proces të gjithë faktorëve si shoqësia civile, komuniteti i biznesit, institucionet e pavarura, institucionet ligjzbatuese si dhe profesionitë të interesuar për të kontribuar”, shtoi Xhafaj.

Parimi i dytë i rëndësishëm nga i cili do të udhëhiqet procesi, sipas tij, do të jetë transparenca.

“Parimi i tretë i rëndësishëm është profesionalizmi si një tipar tjetër i rëndësishëm. Pjesë e grupit të ekspertëve të nivelit të lartë do të jenë kapacitetet më të mira që ne kemi në mirëqeverisje, çështje të antikorrupsionit dhe sundimit të ligjit. Shumë shpejt, javën e ardhshme ne do të miratojmë përbërjen e grupit të ekspertëve”, shtoi ai.

Së fundi, Xhafaj theksoi se i gjithë procesi dhe produktet e dala prej tij duhet të jenë në përputhje me standardet dhe kriteret ndërkombëtare në këto fusha.

Anëtarja e Komisionit Milva Ikonomi tha se është punuar fort për shtyllën e mirëqeverisjes.

“Mirëqeverisja duhet të ndërtohet mbi reformën e administratën publike, llogaridhënia ndaj qytetarëve, ofrimi i shërbimeve online, si dhe transparenca e financave. Kemi nevojë të marrim opinione nga shoqëria civile, por edhe grupet e teknikëve. Duhet të kemi persona, që janë të përgatitur për të shërbyer në administratë. Administrata duhet të jetë e aftë që të mbikëqyrë tregun. Për shumë gjëra që kanë të bëjnë me pushtetin vendor, ne kemi nisur që të veprojmë. Rekomandimet duhet të plotësohen”, shtoi ajo.

Ndërsa, anëtarja Evis Kushi deklaroi se dixhitalizimi i shërbimeve është një prioritet absolut i qeverisë, me qëllim që shërbimet të merren më lehtë dhe të shmanget korrupsioni. Kushi tha po ashtu se do të shfrytëzohet maksimalisht potenciali i Inteligjencës Artificiale.