Xhixho: Testi “Pisa” certifikoi analfabetizmin, Manastirliu: Ndikim tërmeti e pandemia

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi sot një interpelancë të kërkuar nga deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho.

Në fjalën e saj deputetja Xhixho tha se, testi Pisa certifikoi dështimin e paralajmëruar prej vitesh të sistemit arsimor në Shqipëri.

“E kam kërkuar interpelancën për shkak të emergjencës së thellë ku ndodhet sistemi arsimor. Testi Pisa certifikuan dështimin e paralajmëruar prej vitesh, sipas së cilave Shqipëria është në vendin e 69 nga 80 vende që u bënë pjesë e  testimin e nxënësve 15 vjeçarë”, u shpreh Xhixho.

“Shqipëria ka humbur në matematike 69 pikë, në letërsi 47 pikë, në shkencë 41 pikë. Analfabetizmi është ulur këmbëkryq dhe po bëhet pandemik. Nxënësit nuk kuptojnë çfarë lexojnë. Po kultivoni analfabetizmin masiv. Emigrimi masiv me një ritëm të frikshëm”, tha Xhixho.

“Qindra shkolla janë mbyllur. Ato që janë hapur nuk ofrojnë arsim cilësor. Jemi kthyer në vitin 2000. Cilësohemi si shteti me rënien më të fortë mes shteteve pjesëmarrëse dhe kjo është alarmante”, deklaroi Xhixho.

Ndërsa ministrja Manastirliu u përgjigj duke thënë se, Pisa është fotografi momentale e situatës në 2022.

Sipas ministres, dy prej shkaktarëve kryesorë që ndikuan në uljen e performancës së nxënësve në të gjitha vendet, ishin tërmeti dhe pandemia.

“Sigurisht që shqetësimi juaj qëndron për ju edhe për ne. Por ju keni versionin tuaj të leximit me syze të errëta e pa u bazuar në atë që duhet. Ne ju japim një analizë të saj që ka ndodhur në Shqipëri për vlerësimin Pisa 2022. Shqipëria u prek nga tërmeti 2019, ndikoi në zhvillimin normal mësimor, 50% e nxënësve që morën pjesë në 2022 vinin nga zonat e prekura. Një nga shkaktarët e elementët e një ulje në performancën e të gjitha vendeve, ishte dhe pandemia e 2020. Pisa fotografi momentale e situatës në 2022”, tha Manastirliu.

Ministrja u shpreh se, është rritur paga mesatare e mësuesve që arriti 950 euro.

“Një ndër çështjet që ju më ftuat nuk e cekët, se nuk ju pëlqejnë të vërtetat, sepse ajo që bëni është kapja e një rasti dhe përgjithësimi i tij, por dua të ndalem te trajtimi financiar i mësuesve që kulmoi këtë muaj me pagën mesatare të mësuesve që arriti 950 euro. Premtuam se do t’i rrisnim pagat e mësuesve me 40 për qind dhe këtë mandat e kemi bërë realitet. Do të vazhdojmë me mbështetjen. Përfitojnë mësuesit dhe edukatorët. Rritja e mësuesve do të jetë mesatarisht 18 mijë lekë në muaj”, u shpreh Manastirliu.

“Kemi ndërtuar një sistem të ri, shtoi Manastirliu, kjo skemë e re parashikon shpërblime për mësuesit e kualifikuar dhe mësuesit mjeshtër. Kjo skemë e re, që vjen në kuadër të zhvillimit profesional, krijon mbështetje në karrierën e tyre, që bën të mundur një përmirësim cilësor dhe realizon rritje në shkallët e kualifikimit, duke nxitur dhe zhvillimin profesional të mësuesve. Kjo do të ndikojë në orientimin efikas të nxënësve drejt karrierës. Skema ka bërë të mundur përfshirjen e universiteteve”.

Manastirliu foli edhe për modernizimin e kurrikulës.

“Folët edhe për disa tekste, ne po vlerësojmë efektet e kurrikulave të reja, po bëjmë modernizimin e kurrikulës, me qëllim nxitjen e mendimit kritik. Integrimi i teknologjisë dhe informacionit po ashtu është prioritet yni, kemi mundësuar që 300 shkolla të sigurojnë marrjen e njohurive digjitale për fëmijët që në klasë të parë”, u shpreh ministrja.

Manastirliu theksoi se, është fakt që sot pagat e mësuesve janë më të larta, kushtet e punës po ashtu.

“Mësuesit futen në punë nëpërmjet një portali, ku mësuesit aplikojnë direkt. Përmendët edhe disa ngjarje që ne i dënojnë. Ndaj, kemi përcaktuar masa konkrete, ku është vendosur që asnjë i dënuar nuk mund të rivendoset në arsim. Por, që mund të ketë drurë të shtrembër, na bën jo vetëm të reflektojmë, por për të kaluar në një filtër tjetër çdo përgjegjës në sistemin arsimor. Jo vetëm kemi marrë masë, por kemi ngritur edhe një sistem të verifikimit të çdo punonjësi. Këtë vit janë regjistruar në portal 1969 mësues, lista e pritjes së mësuesve në portal është rreth 9000. Nuk mund të flasim për braktisje”, tha Manastirliu.