Abuzimet me fondet e BE-së, socialistët rrëzojnë kërkesën e PD-së, Bardhi: Ku i çuat dhjetëra milionë eurot për bujqësinë?

Për shkak të mungesës së kuorumit, parlamenti nisi këtë të enjte 40 minuta më vonë.

Që prej nisjes së seancën filluan debatet, shkak u bë rrëzimi i kërkesës së PD, për mocion me debat lidhur me gjetjet e OLAF-it.

Ishte kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi, i cili akuzoi mazhorancën se kërkojnë të mbrojnë hajdutërinë.

Nga ana e socialistëve, shefi i deputetëve Bledi Çuçi theksoi se kërkesa nuk është rrëzuar, por shtyrë.

Por opozitarët nuk u dorëzuan.

Demokratja Ina Zhupa kërkoi një mekanizëm për të zhbllokuar 120 milionë euro fonde.

Kjo solli dhe ashpërsim të deklaratave të socialistëve. Nga ulësja e tij, Erion Braçe i rikujtoi të djathtëve se abuzimet me fondet e BE për bujqësinë i ka denoncuar më herët.

Kërkesa e Grupit Parlamentar të PD erdhi pas një hetimi të kryer nga Zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve (OLAF). 

Në këtë hetim thuhet zyrtarisht se janë keqpërdorur 33 milionë euro fonde të BE-së në ndihmë të bujqësisë shqiptare dhe rekomandoi bllokimin e paketës së radhës prej 112 milionë euro, për sa kohë nuk ka masa për të garantuar mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.