Propozimet e PD për diasporën: Një zonë zgjedhore, përfshirja e çdo qytetari shqiptar që jeton jashtë në votim

Një zonë zgjedhore për diasporën dhe përfshirja e çdo shqiptari që jeton jashtë vendit pa pasur nevojë për vendbanim të regjistruar janë dhe propozimet e PD për votën e diasporës. Në kuvend, opozita depozitoi propozimet ndërsa kërkojnë që administrimit të kryhet nga Komisioni Qëndror I Zgjedhjeve.

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend, propozimet për votën e diasporës ku ashtu si Partia Socialiste kërkojnë administrimin e plotë nga KQZ, por me disa ndryshime.

Opozitarët kërkojnë përfshirjen e çdo shqiptari që jeton, mëson apo punon jashtë vendit, jo vetëm ata me vendbanim të regjistruar, e cila ishte dhe propozimi i mazhorancës.

Gjithashtu një tjetër propozim ndryshe nga socialistët ka të bëjë me ndarjen e votave, ku demokratët kërkojnë një zonë të veçantë zgjedhore vetëm për diasporën.

Posta është rekomandimi i opozitarëve sa i përket dërgimit të votave ndërsa regjistrimi do të kryhet 100 ditë përpara zgjedhjeve dhe do të mbyllet 50 ditë përpara saj.
Ndërkaq, zgjedhësit e regjistruar nga listat e diasporës, do të ç’regjistrohen nga listat e tyre përkatëse në Shqipëri pas përfundimit të procesit 50 ditor.

Votimi nga jashtë vendit mbyllet në ditën e votimit, dhe vërtetohet nga data e dorëzimit të zarfit që përmban fletën e votimit në shërbimin postar. KQZ-ja nuk mund të pranojë dhe përfshijë në numërim asnjë fletë votimi të mbërritur më vonë se 72 ore pas datës së zgjedhjeve.

Ndërkaq, procesi i numërimit dhe vlerësimit të tyre kryet nga administrata e KQZ-së dhe tabelohen në tabelën e rezultateve të zonës zgjedhore përkatëse. Rregullatori gjithashtu sipas propozimeve të opozitës, përcakton me akt nënligjor dokumentacionin, mënyrën e plotësimit të tij dhe çdo aspekt tjetër për administrimin, numërimin, vlerësimin e votës dhe tabelimin e rezultatit zgjedhor sipas këtij Kodi.