Apeli i Durrësit liroi Florenc Çapjan, Gjykata e Lartë çon për rigjykim çështjen për atentatin ndaj Fadil Memës

Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Gjykatës së Elbasanit të muajit nëntor 2019, vendim që u la në fuqi dhe nga Apeli i Durrësit për Florenc Çapjan.

Trupa e gjykimit e përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni shqyrtuan rekursin e prokurorisë, që kundërshtonte pushimin e çështjes për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Fadil Memës, ish efektivit të rrugores.

Më datë 20 nëntor të vitit 2019, gjyqtari Tomor Kullolli vendosi pushimin e çështjes për Florenc Çapjan, duke e liruar këtë të fundit nga qelia.

Në atë kohë, gjykata u shpreh se nuk ka prova të mjaftueshme për ta implikuar Çapjan në këtë ngjarje.

Vendimi për pushim u mor në seancën paraprake, ku gjykata duhet të vendoste kalimin ose jo të dosjes për gjykim.

Vendimi që u mor nga gjykata e Elbasanit u la në fuqi edhe nga Apeli i Durrësit, konkretisht nga gjyqtarja Anita Mici në 14 prill të vitit 2020.

Edhe gjyqtari Tomor Kullolli dhe gjyqtarja e Durrësit Anita Mici janë shkarkuar nga Vettingu.

Në atë kohë, prokuroria ngriti akuzat “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, ndaj Çapjaas.

Ka qenë prokuroria ajo e cila bëri rekurs në Gjykatën e Lartë dhe kjo gjykatë vendosi t’ia rikthejë çështjen gjykatës së Elbasanit në seancë paraprake.

“Prishjen e vendimit nr. 3096 (13-2019-6955), datë 20.11.2019, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Elbasan dhe vendimit nr. 10-2020-480 (76), datë 14.04.2020, i Gjykatës së Apelit, Durrës dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Elbasan – gjyqtari i seancës paraprake, pranë kësaj gjykate.”

Bëhet fjalë për një atentar që i është bërë Fadil Memës në vitin 2006.

Apeli i Durrësit liroi Florenc Çapjan, Gjykata e Lartë
Fadil Mema dhe Florenc Çapja