Chiellini fajëson mbrojtësin e Interit për golin e dytë të Anglisë
Ish-mbrojtësi i Italisë, Giorgio Chiellini, mendon se goli i vonshëm i Ollie Watkins kundër Holandës ishte “i shmangshëm” dhe zbulon gjënë e vetme që Stefan de Vrij nuk duhej të bënte në atë situatë.
Ish-qendërmbrojtësi i Italisë dhe Juventusit, Chiellini, beson se mbrojtësi i Interit, De Vrij, duhej të bënte më shumë për të shmangur golin e vonshëm të Watkins në gjysmëfinalen e EURO 2024, që çoi Anglinë në finalen kundër Spanjës.
“Detajet e vogla bëjnë diferencën,” tha Chiellini për “Sky Sport” Italia.
“Lëvizja e Watkins ishte e saktë, por ai ishte drejtuar drejt flamurit të këndit.
Ai nuk ishte i rrezikshëm.
E vetmja gjë që një mbrojtës nuk duhet të bëjë në atë situatë është të përpiqet të marrë topin.
Mbulimi i hapësirës drejt shtyllës së largët i lejon portierit të bëjë një pritje të lehtë.
Nuk keni nevojë të kapni topin sepse nëse kalon mes këmbëve…
Ishte një gol i shmangshëm, dhe më vjen keq sepse Stefan është një mbrojtës i shkëlqyer dhe luajti shumë mirë në këtë turne.
Megjithatë, diferenca midis fitores dhe humbjes, ngritjes dhe mosngritjes së një trofeu, shpesh varet nga këto detaje të vogla”.
