“ARMIQTË” TAKOHEN SI ALEATË/ Erdogan e Mitsotakis diskutuan për Qipron, detin dhe emigrantët në Samitin e NATO-s

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ranë dakord se qetësia relative që mbizotëron në marrëdhëniet dypalëshe është reciprokisht e dobishme dhe duhet të vazhdojë. Qipro, Deti dhe emigrantët ishin tema kryesore të diskutimit të liderëve të vendeve armiq historikë, në samitin e Aleancës që i bashkon

Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidentit turk Rexhep Tayyip Erdogan shfrytëzuan pjesëmarrjën në Samitin e NATOS në SHBA për të diskutuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

Dy liderët  e vendeve “armike historike”, por që po tentojnë një miqësi të rej  u larguan së bashku nga salla ku ishin mbledhur krerët e vendeve anëtare të NATO-s dhe ecën krah për krah drejt vendit ku u zhvillua takimi në prani të ministrave të jashtëm Giorgos Gerapetritis dhe Hakan Fidan si dhe këshilltarëve diplomatikë të tyre!

Edhe pse Ankaraja nuk ka lëvizur nga pozicionimi i saj për situatën në Mesdheun Lindor, Athina e konsideron shumë të rëndësishme faktin që në 16 muajt e fundit ka pasur qetësi në kufirin ajror dhe detar mes dy fqinjëve që shpeshherë kanë mbërritur një hap larg konfliktit ushtarak.

Duke ju përgjigjur sfidës së fundit të presidentit Erdogan që i është referuar së fundmi çështjes së njohjes së shtetit të Qipros veriore, pak ditë para vizitës që ai po planifikon në territoret e pushtuara, Mitsotakis ka deklaruar se 50 vjet pas tragjedisë së 1974, Qiproja, një vend anëtar i BE-së, nuk mund të mbetet e ndarë dhe ritheksoi nevojën për rifillimin e bisedimeve për zgjidhjen e kësaj çështjeje bazuar në vendimet e OKB-së.

Sipas burimeve qeveritare greke Kryeministri Mitsotakis shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin me autoritetet turke në luftën kundër emigracionit të parregullt.

Ata ranë dakord për intensifikimin e bashkëpunimit për të dyfishuar vëllimin e tregtisë dypalëshe si dhe për përfitimet reciproke që do kenë dy vendet në se ruhet një klime qetësie në marrëdhëniet mes tyre.

Nga ana e saj njoftimi i Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës turke, thekson se gjatë takimit janë diskutuar marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë, çështje rajonale dhe globale.

Presidenti Erdogan ka deklaruar se “Turqia vazhdon përpjekjet e saj për të zhvilluar një frymë solidariteti me Greqinë bazuar në parimin e fqinjësisë së mirë dhe se këto përpjekje do të vazhdojnë të rriten”.

Mitsotakis dhe Erdogan biseduan gjithashtu edhe për takimin e tyre të ardhshëm që do të mbahet në shtator në Nju Jork, në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ku vlerësohet se do diskutojnë çështje më të thella dhe ndasitë mes tyre. Gjatë fjalimit të tij Erdogan tha se NATO nuk duhet të bëhet palë në luftë me Rusinë.