VRASËSI KAPET NË VARREZA! Arrestohet 26-vjeçari që ekzekutoi me hark familjen e komentatorit të BBC. Britani gati ndryshime në ligj
Autori i dyshuar për vrasjen e dy vajzave dhe bashkëshortes së komentatorit të BBC-së, është arrestuar nga policia. 26-vjeçari është kapur në Londër, i cili u gjet i plagosur pranë disa varrezave. Kalorësit e garave me kuaj janë solidarizuar me ngjarjen, ndërsa Ministri i Sigurisë paralajmëroi ndryshime ne ligj për krimet me hark.
Autori i dyshuar për vrasjen e gruas dhe 2 vajzave të komentatorit të rrjetit BBC, John Hunt, u kap nga policia pranë varrezave në Londrën Veriore.
Agjentët ishin në ndjekje të 26-vjeçarit Kyle Clifford, kur e gjetën atë të plagosur, por jo nga të shtënat e policisë. Menjëherë u bë rrethimi i zonës!
Efektivët u kujdesën që arrestimi të bëhej nën masa të rrepta të sigurisë, për shkak të sensitivitetit të lartë të ngjarjes, teksa autori i dyshuar u mor me ambulancë.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së martës, në banesën e familjes HUNT në Bushey, Hertfordshire. Krimin, 26 vjeçari dyshohet se e ka kryer duke përdorur një hark.
Viktimat janë identifikuar si Carol Hunt, 61, Hannah Hunt, 28 dhe Louise Hunt, 25 vjeç, te tre anëtarë të familjes së komentatorit të garave me kuaj të BBC, John Hunt.
Në mbështetje të komentatorit të BBC-së, kalorësit mbajtën shirita të zinj në krahë si dhe u lajmëruar për mbajtjen e një minutë heshtje në orët e pasdites.

Në një reagim ministri i Sigurisë tha se ligji për krimet me hark do të rishikohet, teksa shprehu keqardhje per rastin në fjalë. Prokuroria po vijon hetimet, për të zbardhur shkaqet që çuan në këtë ngjarje të rëndë.

