Osmani takon homologun kroat, diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq. Takimi ka ndodhur në margjina të NATO-s, në Washington D.C.

Këtë e ka bërë të ditur vetë presidentja përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ajo ka shkruar se temë diskutimi ka qenë aspirata e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO dhe mbështetjen jetike nga aleatët kroatë.

“Si zakonisht, një takim produktiv me Presidentin e Kroacisë Zoran Milanović, në margjina të Samitit të NATO-s në Washington D.C. Diskutuam aspiratën e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO dhe mbështetjen jetike nga aleatët tanë kroatë. Falënderova Presidentin Milanović që gjithnjë ka qenë zë i fuqishëm pro anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe në organizata të tjera ndërkombëtare”, ka shkruar Osmani.