Beleri pa mandat, Andoni: Drejtësia ka marrë karakter politik. Çështja është kthyer në çështje etnike atje ku nuk duhej
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi vendosi shpalljen të pavlefshëm të mandatit të Fredi Belerit si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, pasi ky i fundit është dënuar me 2 vite burg nga GJKKO e Apelit i akuzuar për krim zgjedhor.
Në seancën e sotme ku u mor në shqyrtim vlefshmëria e mandatit të Belerit, Celibashi u shpreh Beleri është kryetar bashkie i zgjedhur, që nuk është në detyrë dhe pse me vendim të KQZ u shpall fitues.
Lidhur me këtë vendim të KQZ-së, analisti Ben Andoni në një intervistë për “Ora News” u shpreh se KQZ-ja duhet të dijë të justifikojë verdiktin që dha ndaj Belerit.
“Vendimi i soitëm ishte plotësisht i pritshëm. Ju e dini që z. Beleri pas gjitha pengesave që ka marrë do të shkonte drejt kësaj rruge.
Nëse do i ishte dhënë e drejta për t’u betuar, atëherë mund të shpresohej për një vendim ndryshe të drejtësisë.
Me rastin e tij, drejtësia ndaj Belerit ka marrë pak karakter politik, në sensin që drejtësia ka prehaluar në një problem shumë të madh, duke ashpërsuar marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Ndaj mendoj se Shqipëria ka marrë një lloj penaliteti, pasi çështja është kthyer në një çështje etnike pikërisht në atë zonë ku kjo nuk duhej të ekzistonte”, theksoi Andoni.


