Iu gjetën në banesë armë dhe municione, arrestohet një shtetas në Tiranë

Një person është vënë në pranga ditën e sotme ne Tiranë. Mësohet se arrestimi i tij ka ndodhur pasi në banesë i janë gjetur armë dhe municione. 

Sipas njoftimit të policisë ai është arrestuar për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Tiranë/ Komisariati i Policisë Nr. 1, në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që mbante armë zjarri pa leje, në banesë, ka organizuar punën për kapjen e tij, dhe ka finalizuar operacionin policor të koduar “Spot”.

Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi G. H., banues në Sauk, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, krehra dhe municion luftarak për to, si dhe një palë dylbi. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.