Përzgjidhen katër kandidatë për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Në drejtimin e kryetares Klotilda Bushka u zhvillua mbledhja e radhës së nënkomisionit “Për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatëve”.

Në nisje të mbledhjes Bushka shpjegoi procedurën që duhet ndjekur për vijimin e procedurës së vakancave të shpallura për KLGJ dhe KLP, për shkak se lista e parë e kandidatëve të dal nga shorti i datës 13.6.2024 nuk arriti të merrte shumicën e votave të kërkuara në seancë plenare.

Në rendin e ditës ishte votimi i listës së re të kandidatëve për plotësimin e vakancave për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe votimi i secilit prej kandidatëve.

Fillimisht u votua për listën e kandidatëve të skualifikuar pas procesit të verifikimit dhe vlerësimit paraprak të listës së kandidatëve dhe asnjë prej tyre nuk arriti të marrë numrin e votave të nevojshme për tu kualifikuar.

Në përfundim lista e kandidatëve që u hodh për votim ishte për KLGJ: Eris Hysi, Erind Mërkuri, Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Klodian Gjermeni, Artan Reçi, Bledar Bajri dhe Saimir Kola, ndërsa për KLP ishin: Erind Mërkuri, Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Artan Reçi, Bledar Bajri dhe Saimir Kola.

Për shkak se asnjë prej kandidatëve nuk arriti të marrë numrin e votave të nevojshme, procedura vijoi me përzgjedhjen me short, nga ku u përzgjodhën e Erind Mërkuri dhe Albenc Tabaku për KLGJ-në; si dhe Artan Reçi dhe Bledar Bajri për KLP-në.

Në përfundim të mbledhjes Bushka sqaroi se katër kandidaturat do t’i kalojnë për shqyrtim seancës plenare./ATSH