“Të hiqet ligji i luftës”, Idrizi: Kuvendi i Shqipërisë t’i drejtohet me rezolutë parlamentit grek
Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, (PDIU) Shpëtim Idrizi ka kërkuar që Kuvendi i Shqipërisë t’i drejtohet me një rezolutë parlamentit grek, për heqjen e ligjit të luftës.
Përmes një deklarate në ambientet e Kuvendit, Idrizi u shpreh se ligji i luftës, që mes dy vendeve është ende në fuqi, vijon të prodhojë efekte negative.
Idrizi thotë se duhet të krijohet një grup pune mes dy Parlamenteve që të kontribuojë zyrtarisht në këtë drejtim, apo në adresimin e çdo problemi të ngjashëm në marrëdhëniet mes dy vendeve sipas parimeve të njohura të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Sipas deputetit, Këshilli i Ministrave duhet të bëjë çdo përpjekje me qeverinë e Greqisë për abrogimin e Ligjit Nr. 2636/40, dhe pasojat juridike që burojnë nga ky ligj.
Ndër të tjera, ai kërkon që rkon Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të mbajë të informuar rregullisht Kuvendin e Shqipërisë dhe partnerët euroatlantikë Nato dhe BE për përpjekjet sistematike të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me qeverinë e Republikës së Greqisë, për zgjidhjen e kësaj çështje të bartur nga e kaluara.
