Debate në komisionin e Sigurisë Kombëtare për moszhvillimin e seancës dëgjimore me kreun e Autoritetit të Sigurisë Kibernetike

Komisioni për Sigurinë Kombëtare debatoi sot në lidhje me mospraninë në komision të kreut të Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike Igli Tafa, i thirrur për të raportuar mbi veprimtarinë e institucionit që ai drejton për vitin 2023.

Kreu i Komisionit Parlamentar, deputeti i Partisë Socialiste Nasip Naço njoftoi se drejtuesi nuk është paraqitur gjë që solli kërkesën e deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji që Komisioni i Sigurisë t’i depozitojë kallëzim penal për “shpërdorim detyre”.

“Është e paimagjinueshme që në një shtet të së drejtës, në një shtet demokratik të kërkohet që të vijë nga Kuvendi një drejtues institucioni, që rrogën e ka 2.5-fish më shumë sesa Presidenti i Republikës dhe ai të mos paraqitet. Është për Sigurinë Kibernetike, që çdo ditë dalin të dhëna të shtetëore dhe kjo është arsyeja që ai nuk vjen”, tha Salianji.

Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Nasip Naço tha se “ka marrë dijeni stafi, jo drejtori”, ndërsa deputeti i PD, Ferdinand Xhaferri u shpreh se situata është e rëndë.

Qefaliaj e konsideroi këtë një gjyq publik të padrejtë ndaj kreut të Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike. Ai tha se anëtarët me kohë të pjesshme të komisionit s’mund të bëjnë gjyqe publike.

Sipas tij, ardhja e drejtuesit të këtij institucioni është risi për komisionin e sigurisë që ndoshta ka sjellë dhe mosmarrëveshje mes stafit ndihmës të komisionit dhe drejtuesit të institucionit. “Drejtuesi i institucionit është profesionist, kompetent dhe mjaft serioz dhe jam i bindur se do të vijë në një moment tjetër”, tha Qefaliaj.

Deputeti i PS, Toni Gogu tha se halli i opozitës është Berisha dhe jo siguria kibernetike. Ai shtoi se kreu i Agjencisë për Sigurinë Kibernetike ka paraqitur raportin vjetor të punës dhe do të vijë në komision.

Kreu i Komisionit të Sigurisë Nasip Naço mbylli punimet e komisionit, duke theksuar se në program të komisionit janë dhe seancat dëgjimore me AMP, me SHISH, me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, si edhe drejtorin e AKSHTI. Po ashtu Naço kërkoi njoftimin e kreut të Agjencisë për Sigurinë Kibernetike me qëllim caktimin e një date tjetër për zhvillimin e seancës dëgjimore.