VIDEO/ Shpërthen aksidentalisht raketa

Ky është momenti fatal i shpërthimit të një rakete hapësinore kineze, që u lëshua aksidentalisht nga një kompani private.

Zhurmë, flakë dhe shtëllugna gjigande tymi dolën në momentin kur ajo u përplas në kodrinat e pyllëzuara të provincës Henan.

Fatmirësisht nuk raportohen për dëme në njerëz, pasi ata ishin evakuuar para nisjes së provës, por zona u përfshi nga zjarri dhe copa metalike u shpërndanë kudo.

‘Tianlong-3’ po testohej të dielën, por kompania përgjegjëse ‘Tianbing Technology’ shpjegoi përmes një deklarate se hasi një dështim strukturor në lidhjen midis trupit të raketës dhe stativit mbajtës, cka rezultoi në ngritjen e papritur.

Video nga incidenti tregojnë momentin kur vrullshëm lëshohet drejt qiellit, pastaj humbet fuqinë dhe bie pingul më peshë të lirë në tokë.

Një nisje e tillë e paplanifikuar në fazën e parë të zhvillimit është shumë e rrallë për Kinën, ndërsa kompania e quajtur ndryshe Space Pioneer njihet si firma e parë private kineze që dërgoi një raketë me lëndë djegëse të lëngshme në hapësirë, në prill 2023.

Kompanitë e hapësirës kanë hyrë në këtë sektor që nga viti 2014 kur investimet private në industri u lejuan nga shteti.

Shumë filluan të bëjnë satelitë, ndërsa të tjerët u fokusuan në zhvillimin e raketave të ripërdorshme që mund të ulin ndjeshëm kostot e misionit.