Shumë të plagosur pas sulmit me dron të hezbollahëve në Izrael

Ushtria izraelite raportoi dje në mbrëmje se 18 ushtarë të saj ishin plagosur gjatë një sulmi me dron të nisur nga milicia pro-iraniane e Hezbollahut nga Libani jugor në veri të Izraelit.

Ushtria izraelite tha se një nga ushtarët ishte dërguar në spital. Forcat Ajrore izraelite iu përgjigjën sulmit me dron duke sulmuar pozicionet e Hezbollahut në Libanin jugor.

Ushtria shtoi se një platformë lëshimi nga e cila ishte hedhur një predhë në lartësitë veriore të Golanit u bombardua gjithashtu dhe se artileria izraelite “eliminoi kërcënimet” në disa zona të Libanit jugor.

Informacioni nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Që nga fillimi i luftës së Gazës në tetor, Izraeli ka qenë i angazhuar në shkëmbime të përditshme zjarri me Hezbollahun në zonën kufitare me Libanin.

Milicia ka deklaruar se Izraeli duhet t’i japë fund plotësisht luftës në Gazë kundër aleatit të saj, lëvizjes islamike palestineze Hamas, përpara se të ndalojë së qëlluari kundër Izraelit.

Kohët e fundit, Luftimet janë intensifikuar ndjeshëm.

Ekziston frika se një luftë e mundshme e hapur midis Izraelit dhe Libanit mund të përshkallëzohet në një konflikt rajonal që do të përfshijë gjithashtu Iranin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.