Siguria në det, hapësira në plazhe! “Çlirohet” Lungomare. Bllokohen mjetet lundruese në shkelje
Kjo hapësirë publike e plazhit në vijën bregdetare ishte pushtuar në mënyrë të paligjshme nga një subjekt që kishte vendosur 120 çadra dhe shezlongë.
Aty ku qytetarët mund të pushonin të lirë, biznesi u kishte vënë çadra dhe u kërkonte të paguanin. Pas konfirmimit të paligjshmërisë, efektivët e policisë së Vlorës ndërhynë dhe hoqën çadrat dhe shezlongët.
Një 53 vjeçar përgjegjës për këtë veprimtari u vu nën hetim në gjendje të lirë në kudër të operacionit “Plazh i lirë”. Më në jug, në Dhërmi të Himarës, u tentua rikthimi i ndërtimeve pa leje i lokaleve të plazhit.
Këto janë pamjet e ndërhyrjes së policisë për të hequr strukturën e drunjtë, ndërsa pronari 53-vjeçar u çua për hetim.
18 jet ski, 4 skafë dhe 5 gomone ndërkohë janë bllokuar nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare në kuadër të operacionit “SIGURIA DETARE që synon parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.
5 nga 27 mjetet lundruese të bllokuara u kapën brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve. Drejtuesit u ndëshkuan me masë administrative 100 000 lekë
Drejtuesit e 22 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili, me masë administrative 10 000 lekë, për mungesë dokumentacioni.
Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare gjatë javës kanë kryer 9 ndërhyrje duke shpëtuar të paktën 11 pushues në vështirësi në det nga Ksamili në Velipojë.
