Lejuan ndërtime të paligjshme/ Dërgon në gjyq për shpërdorim detyre 9 zyrtarë të IMT-së e Kadastrës
9 zyrtarë dhe ish zyrtarë të IMT dhe ASHK Shkodër janë marrë të pandehur nga prokuroria e Shkodrës me akuza se lejuan dhe legalizuan ndërtime pa leje në zonën turistike të Shirokës
Gjatë hetimeve, prokuroria provoi se punonjësit e IMT-së kanë lejuar ndërtimin në mënyrë të paligjshme të një objekti dy-katësh në Shirokë, duke mos evidentuar dhe kallëzuar shkeljen, edhe pse kishin dijeni.
Ndërsa punonjësit e ASHK-së Shkodër akuzohen se kanë mundësuar legalizimin e disa objekteve të ndërtuara pa leje në të njëjtën zonë, ku për shkak të statusit dhe mbrojtjes së veçantë, legalizimi i objekteve informale është i ndaluar me ligj.
Skema e abuzimit u denoncua nga një grua!
Shtetasja A.D., kallëzoi zyrtarët e IMT Shkodër, pasi konstatoi ndërtimin e paligjshëm të një objekti dy-katësh në zonën e Shirokës, në një sipërfaqe toke të pretenduar si në pronësi të familjes.
Në kallëzim ajo tha se punonjësit e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit nuk kishin marrë asnjë masë pavarësisht se u vunë në dijeni në vazhdimësi
Nga hetimet e kryera në kuadër ,rezultoi se shtetasit Ergys Karrametaj dhe Mirsad Hallunaj, inspektorë pranë IMT-së, nuk e kanë evidentuar këtë fakt në një procesverbal konstatimi, duke raportuar se nuk ishte konstatuar asnjë ndërtim i ri, në një kohë kur nga këqyrja e bërë nga ana e policisë gjyqësore, është provuar ndërtimi i këtij objekti të ri.
Madje, për ndërtimin e paligjshëm të këtij objekti është dënuar me vendim të formës së prerë edhe ndërtuesja.
Hetimi për legalizimin e objektit në fjalë dhe 9 rasteve të tjera provoi sipas Prokurorisë se procedura është bërë në kundërshtim me ligjin.
