Mashtrim me mobilimin e zyrave të BKH dhe SPAK, APP përjashton për 18 muaj nga kontratat publike kompaninë “Glori Projekt”

Mashtrimi përmes dokumenteve të rreme me qëllim përfitimin e një tenderi që kishte si qëllim mobilimin e zyrave të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme SPAK, ka detyruar Agjencinë e Prokurimeve Publike, të dalë me një vendimmarrje, duke përjashtuar nga procedurat e tenderave dhe ankandeve publike kompaninë “Glori Projekt” ose siç njihet ndryshe “Mobileri Prestigj”.

Vendimi është marrë në 26 qershor 2024 nga titullarët e APP-së, të cilët pas konstatimit të gjetjeve nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, lidhur me keqinformimin dhe për dorëzimin e dokumenteve që përmbajnë të dhëna të rreme për qëllime kualifikimi të kompanisë “Glori Projekt”, kanë përjashtuar këtë subjekt për një periudhë 18 muaj nga procedurat e pjesëmarrjes në kontrata publike.

Koha përfundimtare kur mbaron përjashtimi është përcaktuar data 26 dhjetor 2025. Kompania në fjalë që zotërohet nga biznesmeni Arian Hasani, është shpallur fituese e tenderit të shpallur në 21 Korrik 2020, nga Ministria e Brendshme me objekt “Blerje mobilje për Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK)”

Fondi limit për këtë procedurë ishte 61.440.198 lekë të reja, ndërsa “Glori Projekt” dhe “Dromeas Albania” u shpallën fitues duke ofruar vlerën prej 472 milion lekë të vjetra.

Por pavarësisht kësaj nga verifikimet e kryera nga gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, prokuroria e Posaçme SPAK, në datën 26 janar 2022 ka bërë vetëm një pagesë në adresë të subjektit “Glori Projekt” me vlerë prej 55 milion lekë të vjetra për shpenzime lidhur me orenditë e mobilimit të zyrave të BKH-së dhe SPAK-ut.

Ndërsa një pagesë e dytë në adresë të kësaj kompanie është bërë nga Ministria e Brendshme. Rezulton se pagesa është kryer në datën në 21 janar 2021, ku vlera është 56 milion e 754 mijë lekë të vjetra me zë shpenzimi mobilim të zyrave të SPAK dhe BKH-së.

Kurse për operatorin tjetër ekonomik “Dromeas Albania” nuk është kryer asnjë pagesë qoftë nga SPAK, por as nga Ministria e Brendshme.