Pogradeci mirëpret edicionin e 14-të të festivalit të filmit ballkanik e kulinarisë

Pogradeci ka mirëpritur edicionin e 14-të të festivalit të filmit ballkanik dhe kulinarisë, një festival i cili bën bashkë për 4 ditë me radhë regjisorë, producentë dhe studentë të kinematografisë  të cilët konkurrojnë për çmime në dy kategori filma të shkurtër dhe filma të gjatë.

Për Eno Milkanin prodhimtaria ka hyrë në rrugën e duhur sidomos në Shqipëri teksa vihet re se më shumë filma po prodhohen në mënyrë të pavarur se sa nga ata që mbarojnë shkollën.

Eno Milkani: “Këtë vit është rritur prodhimi i filmave për faktin që ka shumë indipendentë që punojnë, shkolla e filmit është shumë e domosdoshme por mos harrojmë që ka njerëz të cilët  janë autodidaktë e mësojnë shkollën nga youtube dhe bëjnë super filma. Dhe ve re që shumë filma cilësorë nuk janë filma studentë por indipendentë dhe biles vijnë edhe shumë filma të gjatë që janë indipendentë dhe kjo gjë të bën të mendosh që Shqipëria ka filma të tillë, janë komercialë  dhe jo autorë, por mendoj se shumë shpejt do të kemi edhe filma autorë sepse koha ecën, ti nuk do presësh më financimin e qendrës së filmit apo bashkëprodhuesit, sepse e gjitha është çështje lekësh, ndaj mendoj se kur këta autorë të gjejnë mbështetjen e nevojshme, do të kemi më shumë filma të tillë. Sa përket filmave që kemi në konkurim këto 4 ditë, janë filma që trajtojnë tema të ndryshme, të të rinjve, të moshës së tretë, tema sociale, të problemeve midis babait dhe fëmijëve, ngacmimet seksuale, filma që trajtojnë çështje të problemeve mendore, pra është një gamë shumë e gjerë.

Jo vetëm filma në konkurrim por këtë vit në bashkëpunim me Arkivin Shtetëror të Filmit, është menduar që filmat shqiptarë të restauruar të shfaqen të titruar në anglisht për turistët e huaj.

Gerta Qurku: “Filmat që do të shfaqen në Odeon janë filma të restauruar shqiptarë, të titruar në anglisht për të gjithë pushuesit që nuk janë shqip folës, në këtë sezon turistik që ka filluar tashmë në Pogradec, për këtë kemi pasur mbështetjen e Arkivit Qendror të Filmit Shqiptar. Jemi shumë të lumtur dhe mezi po e prisnim ta fillonim këtë edicion të 14-të”

Ky festival tashmë i përket Pogradecit dhe krahas filmave është një promotor shumë i mirë i qytetit, kulinarisë dhe vlerave kulturore që ky qytet ka, thotë Entela Gusho ZV/kryetarja e Bashkisë.

Entela Gusho: “Është edicioni i 14-të që Festivali Ballkanik i Filmit zhvillohet në Pogradec, tashmë mund të quhet edhe festivali i Pogradecit sepse janë 14 vite që ky festival shpalos vlerat jo vetëm të  artistike të filmave të Ballkanit por edhe kulturën e gjithsecilit që merr pjesë në këtë festival. Në këto momente ne jemi epiqendra e Ballkanit ku të gjithë janë me sy dhe mendje në Pogradec. Pra Pogradeci do  të jetë Pogradeci i filmit, turistëve, luleve, freskisë dhe i të gjithëve. Vetë festivali ka edhe vazhdimësinë e kulinarisë, shpalosja e këtyre vlerave  janë edhe një promovim për qytetin tonë, për ti njohur sa më shumë vlerat e tij edhe në art, kulturë por edhe pogradecarët si artdashës.”

Festivali i Filmit do të mbyllet në datë 29 Qershor, ku do të shpërndahen edhe çmimet për filmin më të mirë me metrazh të gjatë, të shkurtër dhe dokumentarë.