VIDEO/ Çekia ndalet nga debutuesit... pika e parë dhe historike për Gjeorgjinë

Gjeorgjia dhe Çekia e mbyllën në barazim 1-1 ndeshjen e dytë të Grupit F, të luajtur në orën 15:00. Për të dyja kombëtaret kjo ishte pika e parë në këtë turne, ndërsa për Gjeorgjinë ishte edhe pika e parë në një kompeticioni madhor si Europiani.

Sa i takon ndeshjes, ishin çekët që gjetën rrugën e rrjetës të parët me Hlozek (23’), por goli u anulua për një prekje të topit me dorë të sulmuesit.

Në fundin e pjesës së parë, Gjeorgjia kaloi në avantazh me anë të Mikautadze (45’+4), i cili shndërroi në gol një penallti, të akorduar nga sistemi VAR.

Në pjesën e dytë të ndeshjes, çekët reaguan dhe gjetën golin e barazimit me Schik (59’), që nga fare pranë portës nuk e pati të vështirë për të realizuar.

Deri në fund, shifrat 1-1 nuk ndryshuan dhe ndeshja u mbyll në barazim, teksa në sfidën e radhës, Gjeorgjia do të përballet me Portugalinë, ndërsa Çekia me Turqinë.