Spaho - Felajt: Do ta lexosh si çeçoja shkresën e kreut të PD që Berisha është deputet i Grupit të PD!

Deputeti Edmond Spaho ika bërë thirrje sot, drejtueseve të Kuvendit, të mos vazhdojnë me kokëfortësinë e mohimit të faktit që deputeti Sali Berisha është anëtar i Grupit Parlamentar të PD-së, pasi precedenti që po krijojnë me shumë mundësi do t’u kthehet në të kundërt! Thirrja e tij u bë një ditë pasi Gjykata e Apelit vendosi rikthimin te Partia Demokratike, të vulës dhe logos së saj zyrtare historike.

“Zonja drejtuese e seancës! - iu drejtua Spaho, socialistes Ermonela Felaj. - Unë mendova se sot ju do ta fillonit seancën me një ndjesë të thellë, të plotë, pa kushte, ndaj gjithë Grupit Parlamentar të PD-së për qëndrimet e papranueshme që keni mbajtur gjatë këtyre tre viteve, jo vetëm kryetarja e Kuvendit dhe Grupi Parlamentar i PS-së, por edhe ju personalisht. Madje po vazhdoni me të njëjtin model.

Ju duhet të na kërkoni ndjesë për çfarë keni bërë gjatë këtyre tre vjetëve duke shkelur Kushtetutën, ligjet, rregulloren e Kuvendit .

Sikurse jeni në dijeni, Gjykata e Apelit dje i dha flamurin dhe simbolet, grupit të rithemelimit të kryesuar nga deputeti Sali Berisha. Automatikisht, me publikimin e vendimit dje, në faqen zyrtare të Gjykatës së Apelit, ju sot duhet të njoftoni që deputeti Sali Berisha është pjesëtar i Grupit Parlamentar të PD-së.

Ju jo vetëm që nuk e bëtë këtë, por mendoj, për turpin tuaj, nuk guxuat as t’i lexoni emrin në kërkesën që kemi bërë për interpelancë me Kryeministrin.

Nuk jeni ju që përcaktoni është apo s’është deputet i këtij parlamenti, zoti Sali Berisha!

Atë e ka përcaktuar vullneti i qytetarëve shqiptarë, që e kanë votuar dhe ju nuk ia hiqni dot dhe do të shikoni në të ardhmen që më falni për shprehjen... do të zbytheni në këto qëndrime që po mbani, sepse do të keni precedentë që do t’ju vijnë edhe nga Parlamenti Evropian, që do t’ju kthehet e gjitha kjo që po bëni e do t’ju bjerë në fytyrë.

Çfarë do të bëni ju seancën tjetër kur t’ju vijë shkresa nga Kryetari i Partisë Demokratike, zoti Sali Berisha, që konfirmon që deputeti Sali Berisha është pjesë e Grupit Parlamentar të PD-së?!

Çfarë do të bëni?! Do ta lexosh?!

Do ta lexosh, si çeçoja do ta lexosh, se ç’ke çfarë bën tjetër! Është një realitet që është jashtë vullnetit tuaj dhe është mirë të mos vazhdoni me këtë kokëfortësi, sepse jua thashë, do t’ju kthehet në të kundërt dhe do t’ju bjerë edhe njëherë mbi fytyrë!”

DEBATET NE KUVEND