Himara me kryetar të ri të Bashkisë, opozita bojkoton mes debatesh, Bollano: Koha e fjalëve mbaroi!
Arqile Bollano do të jetë kryetari i ri i komanduar i bashkisë së Himarës.
Vendimi u mor këtë të premte nga Këshilli Bashkiak i Himarës, ku me 12 vota pro dhe me opozitën që bojkotoi votimin u vendos që Bollano të ulet në karrigen e lënë bosh dy ditë më parë nga Blerina Bala, e cila dha dorëheqjen pak javë nga zgjedhja e saj.
Bollano kandidoi përballë nënkryetarit Pervin Gjikuria, i cili u tërhoq në momentin e fundit nga gara.
Në përfundim të votimit, Bollano u shpreh se koha e fjalëve mbaroi, dhe tani është koha për punë, pasi dhe sezoni i ri turistik sapo ka nisur.
DEBATET

E ndërsa vijonte mbledhja për të zgjedhur kryetarin e ri të komanduar të Bashkisë Himarë, nuk kanë munguar as debatet.
21 këshilltarët bashkiakë do duhet të zgjidhnin mes dy nënkryetarëve Pervin Gjikuria dhe Arqile Bollano, ky i fundit më herët ka mbajtur edhe detyrën e kryetarit të partisë socialiste në Himarë.
Por Pervin Gjikuria është tërhequr nga gara, ndërsa pas kësaj këshilltarët janë larguar.
Dhimitër Kapaj, kryetar i këshillit Bashkiak tha se sipas statusit, duke qenë se kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës nuk është votuar, ndërsa kryetarja e komanduar Blerina Bala, dha dorëheqjen dy ditë më parë, duhet që këshilli të votojë për dy kandidatët dhe është shumë e rëndësishme që të zgjidhet një kryetar.
“Ne nuk e kemi betuar kryetarin e ri dhe në bazë të ligjit zgjidhet një nga nënkryetarët. Ushtrimi i mandati fillon në çastin kur bën betimin dhe kur përfundon betimin kandidati pasardhës.
Ne jemi përballë këtij fakti pasi edhe në mbledhjen e mëparshme ne kemi pasur këto debate. Por ne duhet të marrim një vendim për të zgjedhur një kryetar për Himarën. Himara nuk është vetëm e jona. Unë rekomandoj që të zgjedhim, ligji e përcakton, janë dy nënkryetarë, të dy burra të nderuar”, tha ai.


