EMRI/ U ndje keq në burgun e Reçit, 45-vjeçari nga Lezha humb jetën. U arrestua në prill për kanabis
Eduard Koka, 45-vjeçari i cili u arrestua rreth një muaj më parë (3 Prill) pasi u kap duke shpërndarë kanabis, ka humbur jetën.
45 vjeçari nga Lezha ka shfaqur mëngjesin e sotëm (7 Qershor) probleme shëndetësore në ambientet e paraburgimit të Reçit.
Ai kishte vështirësi në frymëmarrje dhe temperaturë të lartë.
Fillimisht stafi mjekësor i burgut i ka dhënë ndihmën e parë, por për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore e kanë dërguar menjëherë drejt urgjencës së spitalit rajonal të Shkodrës dhe pas pak orësh ka ndërruar jetë.
Uniformat e bardha kanë tentuar t’i japin ndihmën mjekësore, por Eduar Koka s’ka mundur të mbijetojë.
Arrestimi i Eduart Kokës:
45-vjeçari u vendos në pranga më 3 prill të këtij viti nga policia e Lezhës dhe pas arrestimit u dërgua në paraburgim në burgun e Reçit për të pritur derisa gjykata të jepte një vendim për të.
Ai u kap në lagjen “Gurra” të Lezhës dhe gjatë kontrollit fizik shërbimet e Policisë i gjetën një sasi kanabisi të ndarë në doza të gatshme për shitje.
Ndërkohë në banesën e tij në të njëjtën lagje, u gjetën 7 maska, të cilat dyshohet se posedoheshin për qëllime kriminale, 2 mjete prerëse (thika) dhe 2 përforcues grushti.
Njoftimi i policisë më 3 prill:
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas të dyshuar të implikuar në disa veprimtari kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Gurra”.
Gjatë këtij operacioni u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi 45 vjeç, banues në Lezhë.
Nga kontrolli fizik i kryer ndaj ketij shtetasi në lagjen “Gurra”, Lezhë, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde narkotike cannabis sativa, të ndarë në doza, të gatshme për shitje. Më tej, në banesën e këtij shtetasi, në të njëjtën lagje, gjetën 7 maska, të cilat dyshohet se posedoheshin për qëllime kriminale, 2 mjete prerëse (thika) dhe 2 përforcues grushti.
Në drejtimin e Prokurorisë, po punohet për të provuar plotësisht veprimtarinë kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Njoftim për shtyp:
Sot, më datë 07.06.2024 rreth orës 07.45 ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Shkodrës i paraburgosuri Eduard Koka, i biri i Gjon dhe Mrike i datëlindjes 14.03.1979 lindur në Reps të Mirditës dhe banues në Lezhë.
Rreth orës 06.30 të mëngjesit i ndjeri është ankuar tek Punonjësi i Rolit Bazë se nuk ndjehet mirë nga frymëmarrja.
Menjëhere janë lajmëruar infermieret e turnit dhe është dërguar në infermieri ku ka ecur vetë dhe duke parë gjendjen e tij jo të mirë është dërguar me urgjence në Spitalin Rajonal te Shkodrës ku ka mbërritur rreth orës 07.15 dhe pastaj ka ndërruar jetë rreth orës 07.45.
I arrestuar me datë 02.04.2024 për veprën penale "Prodhim dhe shitje lëndësh naroktike", të parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal.
Ka ardhur në IEVP Shkodër me datë 02.06.2024 nga IEVP Lezhë dhe në kartelën e tij mjekësore nuk referohet asnjë problematike perveçse është përdorues i alkoolit.
Gjendja civile i martuar, i padënuar me parë.
