Dyshohet se vrau recepsionistin e hotelit në Dhërmi, arrestohet në një aeroport në Greqi, Gerald Shehu
Është vënë në pranga disa orë pasi u shpall në kërkim Gerald Shehu, 43-vjeçari i cili dyshohet se ka vrarë Eraldo Nevruzi, punonjës i recepsionit në një hotel në Dhërmi, ku autori ishte bashkëpronar.
Shehu është vënë në pranga nga autoritetet helene në një aeroport të Greqisë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas minuta pas mesnate, më 6 qershor, por mister mbetet fati i recepsionistit, pasi është zhdukur.
Sipas informacioneve të deritanishme, autori dhe viktima njiheshin me njëri tjetrin.
Ata jetonin të dy në Angli.
Mbrëmjen e ngjarjes kriminale, ata kanë debatuar në një nga dhomat e hotelit, për arsye që ende nuk dihen.
Për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, grupi hetimor ka grumbulluar provat, ndërsa policia ka marrë në pyetje 29 persona.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit
Në vijim të hetimeve intensive për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Dhërmi dhe shkëmbimit të informacioneve me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, ju informojmë se:
Falë një sërë informacionesh kyçe të siguruara nga strukturat e Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e autorit të dyshuar, dhe bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet ndërkombëtare, veçanërisht me Policinë greke, është bërë i mundur lokalizimi dhe ndalimi i shtetasit G. Sh., i cili dyshohet të jetë autor i kësaj ngjarjeje kriminale.
Po si rezultat i veprimeve hetimore, në lagjen nr.4, Sarandë, është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i automjetit tip “Audi”, i dyshuar i përdorur nga autori në këtë ngjarje.
Grupi hetimor vijon punën intensivisht, në koordinim me Prokurorinë, për gjetjen e shtetasit E. N. dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
