Peleshi: Punonjësit e Kombinatit Mekanik Poliçan marrin pagat e prapambetura

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se, “58 milionë e 500 mijë lekë do të vihen në dispozicion për të financuar pagat e prapambetura të punonjësve dhe ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik Poliçan dhe 25 milionë e 300 mijë lekë për financimin dhe mbulimin e detyrimeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore”.

Peleshi prezantoi sot në seancën plenare të Kuvendit projektligjin “Për financimin e detyrimit të prapambetur të pagesës së punonjësve dhe ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik Poliçan”.

“Për disa vitesh tashmë këta punonjës nuk kanë mundur të marrin pagat e tyre, të kushtëzuar nga gjendja e vështirë financiare e Kombinatit Mekanik Poliçan”, tha Peleshi.

Peleshi theksoi se, “ky kombinat është pjesë e strukturave prodhuese të industrisë ushtarake që kemi trashëguar dhe që aktualisht janë pothuajse jashtë funksionit dhe në gjendje të vështirë”.

“Kombinati në Poliçan sikurse dhe uzinat e tjera ushtarake disponojnë sot një teknologji të vjetruar për standardet aktuale të zhvillimit. Një teknologji e tillë ndikon në zgjatjen e kohës së punës, cilësinë prodhimit dhe në kosto më të lartë për njësi prodhimi. Kjo e ka bërë të vështirë ose pothuajse të pamundur për këto uzina të zhvillojnë aktivitet në kushtet e tregut si pasojë e një pozite aspak të favorshme konkurruese”, tha Peleshi.

“Republika e Shqipërisë për shkak të detyrimeve, në kuadër të anëtarësimit të NATO-s ka qenë e angazhuar në uljen e sasisë së armatimeve dhe municioneve të trashëguara nga sistemi komunist. Tërësia e këtyre rrethanave ka ndikuar në përshkallëzimin e gjendjes së vështirë të uzinave ushtarake. Mungesa e aktivitetit prodhues në kushte optimale ka kushtëzuar edhe gjendjen financiare duke kufizuar kapacitetet e tyre duke përmbushur detyrimet ndaj të tretëve dhe mbi të gjitha edhe ndaj punëtorëve të tyre”, tha Peleshi.

“Kombinati Mekanik Poliçan ka në total në harkun e disa viteve 127 ish-punonjës dhe punonjës që nuk kanë marrë pagat e tyre. Duke qenë të ndërgjegjshëm, jo vetëm për shkeljen e një të drejte bazike, por dhe të një impakti social që kjo ka në këtë komunitet MM i ka kushtuar një vëmendje të posaçme zgjidhjes së këtij problemi”, u shpreh Peleshi.

Ministri nënvizoi se, “ky pr/ligj ka për qëllim të financojë me fonde buxhetore detyrimin e prapambetur për pagesat e ish-punonjësve dhe punonjësve të këtij kombinati. Konkretisht, ish-punonjësit dhe punonjësit do të marrin pagat e prapambetura ndër vite, sikurse dhe do të përballohen të gjitha detyrimet që lidhen me kontribute shoqërore dhe shëndetësore”.

Peleshi tha se, “kjo është një ndërhyrje që zgjidh problematikën e punonjësve, por ndërkohë kombinati do të vijojë të ketë disa detyrime të tjera, të prapambetura, që lidhen me gjobat dhe kamatëvonesat e krijuara në sistemin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”.

“Janë 58 milionë e 500 mijë lekë që do të vihen në dispozicion për të financuar pagat e prapambetura dhe 25 milionë e 300 mijë lekë për financimin dhe mbulimin e detyrimeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore”, tha Peleshi.