7-vjeçari shqiptar që humbi jetën në Greqi do të prehet në Shqipëri, të afërmit kërkojnë ndihmë financiare...

Nikola është 7 vjeçari shqiptar, i cili humbi jetën ditën e djeshme, pasi u mbyt në det, ku kishte shkuar për të notuar, pavarësisht paralajmërive të nënës, e cila e ndaloi të hynte në det për shkak të dallgëve të forta.

Një banor i zonës që pa vogëlushin në det që qëndronte përmbys pa ndjenja, menjëherë dha alarmin. Në vendngjarje shkuan edhe banorë të tjerë të fshatit, të cilët e kanë nxjerrë trupin e të miturit nga uji.

Në fillim, ata që panë trupin e fëmijës menduan se ishte një qese që notonte në ujë. Por kur e kuptuan se bëhej fjalë për një person, ata nxituan menjëherë për të ndihmuar.

Madje, pasi e kanë nxjerrë fëmijën nga uji, kanë përdorur menjëherë defibrilatorin e klubit, por më kot.

Pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme për reanimim nga shpëtimtarët e EKAV-it që mbërritën në vendngjarje, Nikos i vogël nuk arriti të mbijetonte

Një dëshmitar okular tha se në momentin që të miturin Nikola e kanë nxjerrë nga deti, atij i rrihte ende zemra.

“Zemra i rrihte ende kur hymë në det për ta nxjerrë jashtë. Zemra e tij po rrihte. Ai kishte humbur ndjenjat dhe për pasojë rrymat e çuan në port”, tha dëshmitari, raportojnë mediat greke.

Mediat lokale në Kretë bëjnë me dije se Nikola i vogël do të varroset në Shqipëri.

Mes hidhërimit për humbjen e madhe, familja e të miturit, nxënës i klasës së parë, po haset me probleme për transportin e trupit në Shqipëri për shkak të vështirësive financiare.

Për këtë arsye komuniteti lokal në ishull po mbledh fondet e nevojshme për varrimin e vogëlushit Niko në Shqipëri. Banorët e zonës tashmë kanë filluar të kontribuojnë, duke treguar mbështetjen e tyre për familjen e të ndjerit.