Kundër ndërhyrjes në Gjyqësor, Opozita në Kosovë: Kurti ndërhyri në punën e Prokurorisë Speciale
Shoqëria civile dhe partitë opozitare në Kosovë e konsiderojnë ndërhyrje në punën e institucioneve të pavarura, reagimin e kryeministrit Albin Kurti, ndaj Prokurorisë Speciale në lidhje ngritjen e aktakuzave të krimeve të luftës.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, thotë se nuk i takon kryeministrit Albin Kurti të interferojë në punën e institucioneve të pavarura kushtetuese.
''Deklaratat e tilla janë qartazi ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe kjo përcaktohet sipas Kushtetutës dhe elaborohet tutje nga ana e opinioneve të Komisionit të Venecias.
Çka i takon kryeministrit, në rastin konkret, është që t’i propozojë ndryshimet e nevojshme legjislative që janë bërë dhe e dyta eventualisht që të tentojë ta përkrahë përmes ligjit për ndarje buxhetore Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe këtu të përfundojë mandati i tij.
Çdo deklarim i tij jashtë këtyre suazave paraqet ndërhyrje në institucionin e pavarur kushtetues, në rastin konkret në Prokurorinë e Shtetit”.
Ndërsa deputeti i PDK, Ardian Kastrati thotë se Kurti ësht6ë përkushtuar në trajtimin e kësaj teme për të larguar vëmendjen nga situata kaotike e vendit
''Ka të bëjë me spostimin e vëmendjes nga gjendja kaotike ku e ka futur Kosovën, duke filluar nga kriza e madhe ekonomike, migrimi masiv, korrupsioni masiv në nivelet e mafiozitetit, izolimi ndërkombëtar, sanksionet, marrëdhëniet ndërshqiptare në pikën më të ulët për shkak të Kurtit, si me Shqipërinë, si me shqiptarët e Maqedonisë, si me shqiptarët në Preshevë, si dhe marrëdhënien me pikën më të ulët me ShBA-në dhe fataliteti që pësuam historik me refuzimin që të pranohemi në Këshillin e Evropës''.
Por nga ana tjëtër, partia në pushtet I hedh posht akuzat
''Kryeministri Kurti nuk ka bërë asnjë ndërhyrje në gjyqësor, por kryeministri Kurti ka bërë apel që sa më shpejt të merren masa që të ndiqen kriminelët që kanë bërë masakra në Kosovë.
Ndërhyrja në gjyqësor është diçka tjetër, ndërhyrja në gjyqësor quhet kur ju e pengoni gjyqësorin në punë, e ato nuk po ndodhin në qeverinë Kurti''.
Deklarata e kryeministrit Kurti është që sa më shpejt të ndiqen dhe të dënohen njerëzit, kriminelët serbë të cilët kanë bërë masakra në popullatën shqiptare në vitin 98-99
Të enjten, kryeministri Albin Kurti akuzoi Prokurorinë Speciale të Kosovës, se janë bërë 5 vjet që prej marrjes së kompetencave për ndjekjen e kriminelëve të luftës, pa rezultat.
Ndaj deklaratave të tij, të nesërme reagoi edhe Prokuroria Speciale e Kosovës, duke thënë se komentet e vazhdueshme të kryeministrit për punën e tyre janë në kundërshtim të plotë me parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe standardeve ndërkombëtare për pavarësinë e Gjyqësorit.
