Spiropali replikë me Gjekmarkajn: Ju udhëheq dikush të cilin gjithë bota e do para drejtësisë
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali replikoi sot me nënkryetarin e Kuvendit, Agron Gjekmarkaj.
Gjekmarkaj gjatë fjalës së tij në seancën plenare të Kuvendit iu përgjigj pyetjes së Spiropalit se kush jeni ju, duke thënë se, “ne jemi Partia Demokratike, e cila themeloi pluralizmin dhe solli lirinë. Mos e harroni se nuk është gjë e vogël. Shtetin e së drejtës dhe ekonominë e tregut. Ajo që rizgjoi kujtesën historike të lidhjes me perëndimin. Ajo që nisi procesin e integrimit dhe liberalizoi vizat, duke thyer izolimin e partisë suaj nënë. Ne jemi partia që futi Shqipërinë në NATO dhe ndërtoi infrastrukturën moderne. Ne jemi Partia Demokratike, e cila bandat i futi në burg dhe nuk i çoi me pushime në Dubai. Ne jemi partia që bëri zgjedhjet e lira dhe të ndershme që lejuan të vini në pushtet ju dhe nuk pengoi rrotacionin”.
Në replikën e saj Spiropali u shpreh se, “pyetjes kush jeni, përgjigjen duhet t’ia jepni ju dhe nuk ju ndihmojnë as përcaktimet për mua apo për kolegët, apo as pyetjet e tjera që ju ngritët, se nuk ka asnjë lloj simetrie mes atij që ju udhëheq ju, të cilin e gjithë bota e do para drejtësisë dhe atij që na udhëheq ne që e ka bërë Shqipërinë të respektohet në sytë e gjithë botës. Nuk mund të ketë simetri mes këtyre të dyve”.
“Meqë folët dhe flisni vazhdimisht për drejtësinë dhe për arrestimin e padrejtë të udhëheqësit tuaj, siç e keni bërë zakon që sa herë drejtësia godet matanë, ju të gjithë merrni armët e retorikës në rastin tuaj, por disa të tjerë ngrenë edhe armë e molotovë, kundër gazetarëve, institucioneve, policisë etj., dhe dilni në mbrojtje të të akuzuarve. Ndërsa sa herë drejtësia godet këtej apo heton, ju dilni të gjithë si gardistë të kuq dhe kërkoni përpara SPAK-ut “të ndëshkohen në litar qentë”, është shumë e qartë që këtë pyetje ju më shumti besoj ia bëni vetes tuaj dhe jam e sigurt se edhe ju si të tjerë, si z. Gaz, të cilin e pyeta herën e kaluar, keni 2 mendje dhe ky është halli madh i juaji, jo i yni”, tha Spiropali.
“Jeni po ju që akuzoni me të parën kundërshtarin tuaj politik, në këtë rast Edi Ramën, për çdo gjë që ndodh në faqen e dheut, siç ishte rasti i djeshëm kur z. Mëngjesi u godit në mënyrë kriminale nga autorë të identifikuar nga policia tashmë, dhe dua ta falënderoj policinë për këtë, por ju më së pari, para se të prisnit, të duronit, të dëgjonit, të prisnit hetimin e policisë apo të tjerëve, ju shpallët fajtorin, që është gjithmonë Edi Rama, dhe sot jo ju, po ata që e shpallën nga ballkoni apo poshtë, nuk kanë as denjimin minimal të dalin dhe të kërkojnë falje. Siç nuk kanë kërkuar falje asnjëherë për akuzat që u kanë bërë kundërshtarëve të tyre. Shërim të shpejtë z. Mëngjesi dhe lutemi për të!”, u shpreh Spiropali.
