Përplasja e gazetarëve me Gardën, Blushi: Akt shumë i rëndë dhe sulm i radhës ndaj lirisë së fjalës!
Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, ka reaguar pas përplasjes së gazetarëve me Gardën e Republikës të cilët nxorën jashtë njerëzit e medias gjatës seancës plenare.
Blushi shkruan se dëbimi i dhunshëm i gazetarëve nga punimet e seancës së sotme parlamentare dhe pengimi me forcë për ushtrimin e detyrës së tyre është një akt shumë i rëndë dhe sulm i radhës ndaj lirisë së fjalës.
Blushi: Dëbimi i dhunshëm i gazetarëve nga punimet e seancës së sotme parlamentare dhe pengimi me forcë për ushtrimin e detyrës së tyre është një akt shumë i rëndë dhe sulm i radhës ndaj lirisë së fjalës. Urdhri i paligjshëm i Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla dhe zbatimi i tij brutal nga patronazhistët e Gardës së Republikës është i dënueshëm dhe vijim i sulmeve të porositura shtetërore të "Rilindjes" ndaj pavarësisë së medias.
Kjo ngjarje e dënueshme, që "shoqatat e gazetarëve" të paguar nga paratë e inceneratorëve dhe AMA e drejtuar nga zëdhënësja e Edi Ramës dhe produktet e marrëveshjes së 17 Majit mes tij dhe Lulzim Bashës, bëjnë sikur nuk e shohin, është e papranueshme dhe e patolerueshme, është goditje e drejtpërdrejtë për fjalën e lirë dhe kufizim i qëllimshëm për informimin e publikut. Akti i sotëm i Lindita Nikollës është dëshmia e radhës e filozofisë armiqësore të Edi Ramës dhe "Rilindjes" ndaj gazetarëve, lirive dhe të drejtave të tyre dhe pavarësisë së medias.
Shoqatat ndërkombëtare të gazetarëve duhet të reagojnë me forcë në solidaritet dhe në mbrojtje të kolegëve të tyre në Shqipëri, që ushtrojnë misionin e tyre në kushtet e një terrori dhe dhune shtetërore.
