Raporti i ISKK, Açka: Politika ka heshtur e ka bërë padrejtësi me ish-të përndjekurit

Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, duke folur rreth raportit vjetor të veprimtarisë së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2023, u shpreh sot se të dy palët politike i kanë bërë padrejtësi ish-të përndjekurve, të cilët ose i lanë në baltë me heshtje, ose “i ngopën” me VKM të cilat nuk u zbatuan kurrë deri në fund.

Açka tha të përndjekurve ua kemi lidhur duart sërish me vendime që e pengojnë zbatimin e ligjit dhe u kemi plasur shpirtin me burokracira që të mos e marrin dëmshpërblimin.

“Ne të dy palët politike kemi luajtur me ish-të përndjekurit, ne të djathtët me arnime ligjesh, me duartrokitje, e duke ua përdorur kauzat dhe votat, dhe ju të majtët, mbase me të drejtën tuaj ideologjike, i keni ndarë dhe përçarë në mënyrë perfide, bashkë me përdëllimet se po i dëmshpërbleni në këta dhjetë vite e fundit, kur dihet mirë se ky është një kusht i prerë i qartë për të hyrë në Europë”, u shpreh Açka.

“Atje kemi shumë zell të shkojmë me gjithë barrën e 1430 shekujve burg që kanë vuajtur një pjesë e qytetarëve të këtij vendi, shqymje nga trupi ynë shoqëror që nuk u quajt kurrë me emrin e vërtetë: Genocid. Genocid i pastër. Shifrat e vërteta, edhe njerëzit që e frymëzuar dhe e shkaktuan, i dini mirë, madje njërin prej urdhëruesve e të tytave të nxehta, e përcollët me duartrokitje në pension dhe e liruat nga barra para se mëkati t’i bëhej barrë”, vijoi Açka.

“Ne, të dy palët politike, nuk i deshëm dhe aq ish-të përndjekurit politikë, ndaj edhe i luftuam jo me plumba, por me shpërfillje të plotë, ose i kuam me ligje dhe VKM-ra që kurrë nuk i zbatuam, cave iu dhamë vetëm thërrime, ca i shantazhuam me kinse dosje, ca i graduam që të kontrollojnë të tjerët, por më të shumtët i mbuluam me heshtje, sepse e dinim se si të përkorë që janë, nuk japin bëzamë”, u shpreh Açka.

“Ne as këtë nuk e bëmë në tridhjetë vjet. As ligji për të Drejtën e Informimit 119/2014, as ligji 45/2015 për të drejtën e informimit mbi dokumentet e ish-Sigurimit, as ligji 7514/1991 për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të përndjekurve politikë, as ligji 8457/1991 për informacionin e klasifikuar, nuk na kanë shpenguar nga faji ndaj tyre. Sepse ua kemi lidhur duart sërish me vendime që e pengojnë zbatimin e ligjit. Sepse ua kemi plasur shpirtin me burokracira që të mos e marrin dëmshpërblimin. Sepse ua kemi fshirë dhe po ua fshijmë me tërbim të gjitha shenjat vuajtjeve të tyre, burgjeve, kampeve, dosjeve, dëshmive. Sepse nuk i kemi treguar me gisht vrasësit, dhunuesit, persekutorët e tyre. Shikoni Shtëpinë e Gjetheve, turpin tonë ku i kemi fshirë me të bardha keqbërësit politikë! Sepse i kemi latyrisur shenjat, i kemi vënë gunga me ngjyra Piramidës këtu afër, ia kemi shqyer kanatet dhe po e kthejmë në fjetore artistësh shtëpinë e dikatorit, në vend që ta bënim Muzeun e Dhunës”, tha Açka.

Nënkryetarja e PD solli në vëmendje bustet e Stalinit dhe Leninit që vijojnë të qëndrojnë në rezidencën qeveritare përballë Kryesisë së Kuvendit. Në shenjë proteste, ajo vendosi dy fotot e busteve në sallën e Kuvendit.

“Po, aty ishte truri i dhunës! Sepse, mu para hundës sonë, në rezidencën qeveritare përballë Kryesisë së Kuvendit, ngrehinës ku bëjmë ligje për drejtësi njerëzore, dy përmendore të baballarëve të diktaturës, Leninit dhe Stalinit, na qesëndisin çdo mëngjes: “Hë, more trima?” Po, sigurisht, si mund t’i shohim ne baballarët e baballarëve të shtrirë? Komunistët vdesin në këmbë. Apo jo? A ka gjë më të paturpshme, më kriminale, më antinjerëzore, më të dënueshme se ta bësh këtë në një rezidencë qeveritare që paguhet me taksat e shqiptarëve? Më thoni, të nderuar kolegë, çfarë do të ndodhte ta shihje përmendoren e Hitlerit në oborrin e ndonjë institucioni në Gjermani, dhe jo vetëm në Gjermani, por kudo në Europë? Nëse i doni kaq shumë këta strategë, i vini në muze me përshkrimin se çfarë burrash të mirë kanë qenë, ose i vini te oborret e vilave tuaja. Ngaqë janë në inventar, do t’i blini lirë. Qysh tani keni filluar festimet e 80-vjetorit të Çlirimit, me logo e me fonde e shaje të kuq. E bëni në respekt të historisë. Mirë bëni! Shoqatën e Veteranëve e prisni dhe e përcillni me nderime, madje po e trashëgoni edhe me tapi”, shtoi ajo.

“Natyrisht, te festimet e mëdha ata do ta kenë merak edhe Komandantin e madh dhe ne do të bëjmë sikur nuk e shohim. Ka mes jush këtu, që edhe pse kanë moshën e nipërve të veteranëve, janë me librezë veteranësh. Iu duhet, se ligji thotë se këto e këto privilegje kanë ata me librezë veterani, por jo po të ishe kalbur në burgjet e diktaturës. Thuhet se ata që e bëjnë, nuk e konsumojnë vetë historinë, sepse ikin. Kjo vlen vetëm për ish-të përndjekurit politikë, po jo për veteranët tanë”, tha Açka.

“Ne, të nderuar kolegë, duhet të ndërtojmë Institucionin e Rehabilitimit, të vërtetë, gjithëpërfshirës, efektiv, në mënyrë të tillë që institucionet e rehabilitimit të jenë apolitike, të kenë lidhje dhe të japin e marrin mes tyre, jo t’ia hanë dheun njëri-tjetrit, siç ndodh në të vërtetë sot mes Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë, i cili trajtohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Punëve Sociale për çështjet e dëmshpërblimeve, kur në fakt kauza e tij është mirëfilli politiko-historike, por e çoi atje që t’ia heqim palcën tmerrit. Pra, nuk ka lidhje me Institutit të ish-të Përndjekurve dhe Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Diktaturës, puna e të cilit sabotohet nga të gjitha anët nga një molepsje me burim fshirjen e së vërtetës. Pra, nuk ka lidhje fare mes Institutit të ish-të Përndjekurve, Institutit të Studimeve dhe Autoritetit për Informim të Dokumenteve të ish-Sigurimit, institucion që ka detyrimin ligjor të ndihmojë dy të parët në zbardhjen e të vërtetave të 3000 mijë dosjeve, të 7000 varreve të të pagjeturve dhe vrasësit dhe persekutorët me emër dhe mbiemër. Ata edhe punën, edhe partitë, edhe përkujtimet i kanë të ndara”, tha Açka.

Sipas saj, duhet të ndërtohet një turizëm genocidal.

“Përse nuk e kemi ne hartën e institucioneve të diktaturës që të trajtohet edhe nga Ministria e Turizmit? Duket cinike, por këtu ka turizëm genocidal, si në Afrikën e Jugut, në Poloni, në Berlin. A nuk mundet të jetë muze i diktaturës burgu i tmerrshëm i kaushëve të Burrelit, me histori tetëdhjetë e pesëvjeçare, vendi që u bë varri i arkitektit të vet, i tillë që të kujton tragjeditë e vjetra? Për shkak të dendurisë së madhe të të burgosurve në qelitë e tij, edhe hahej, edhe flihej, edhe përmirrej në të njëjtin vend. Dëshmitë e familjarëve për ish-të burgosurit që nuk e ndërruan zakonin të flinin vetëm në brinjë, ngaqë nuk ishin mësuar të flinin në shpinë nga mungesa e vendit, janë rrëqethëse. Por ne këtu, dhe ca atje jashtë, na ka mbytur keq e ngimja dhe padija, ndaj po e mbyll me fjalët Orwell-it, siç e nisa, kur thotë se ndonjëherë “liria është skllavëri dhe padija është pushtet”, dhe mjerisht, me ne shqiptarët kjo ka ndodhur së paku në tetëdhjetë vitet e fundit të shtetit, duke e ndërtuar atë mbi plagët e të tjerëve”, tha Açka.