Skica fëmijësh zbulohen në Pompei! Vizatimet me skena dhune i përkasin vitit 79 e.s
Skica të realizuara nga fëmijë që përshkruajnë skena të dhunshme të gladiatorëve dhe gjuetarëve që gjuajnë kafshët janë zbuluar në parkun arkeologjik të Pompeit, në Itali
Vizatimet me qymyr janë vizatuar nga fëmijë që besohet se i përkasin moshës jo më shumë se gjashtë vjeçare, përpara shpërthimit të malit Vezuv në vitin 79 pas Krishtit.
Pasqyrojnë një skenë luftimi mes dy gladiatorë, me shtiza në dorë, përballë asaj që ka të ngjarë të jenë derrat e egër. Aty pranë shtrihet koka e një zogu grabitqar, sipas arkeologëve mund të ketë qenë një shqiponjë.
Ekziston gjithashtu një skenë boksi me të dy boksierët që duken të shtrirë në tokë në një "knock-out". Vizatime të tjera përfshijnë duart e një fëmije duke luajtur me top.
Një vizatim edhe më i vjetër në një mur ngjitur me sa duket ishte bërë nga një fëmijë më i madh, me përdorimin e një pigmenti mineral të kuq në vend të qymyrit.
Piktura më e vjetër përshkruan një skenë detare më të sofistikuar me dy anije të rrethuara nga peshqit. Por ana tjetër e këtij zbulimi ka të bëjë më shumë se sa vetëm me lashtësinë e tyre.
Drejtori i parkut arkeologjik, Gabriel Zuchtriegel thotë se vizatimet naïve, tregojnë se fëmijët në kohët e lashta ishin të ekspozuar ndaj dhunës ekstreme.
“Nuk duket të jetë një problem vetëm i sotëm, mes video lojërave dhe mediave sociale. Dallimi është se, në kohët e lashta, gjakderdhja në arenë ishte reale dhe se pakkush e pa atë si një problem me pasoja të mundshme në zhvillimin psiko-mendor të fëmijëve pompeian.”
Gërmimet e vazhdueshme janë pjesë e një plani të gjerë për të shpëtuar vendin antik. Muajin e kaluar, autoritetet në Pompei zbuluan një sallë ngrënieje me mure të zeza me piktura të frymëzuara nga Lufta e Trojës, ndërsa në mars u zbulua një kantier ndërtimi që hodhi dritë mbi teknikat e lashta të ndërtimit.
