Dyshohet se urdhëroi sulmin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, ky është Dritan Nano (FOTO)
Ky është Dritan Nano, personi i cili dyshohet se ka urdhëruar sulmin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi.
Mëngjesi prej ditës së djeshme kur u dhunua, vijon të jetë i intubuar pasi ndodhet në gjendje të rënë shëndetësore.
Autorë të sulmit janë Romario Tabaku, Elton Kasaj, Drivald Alija dhe Dorian Alia. Ky i fundit u vetëdorëzua në polici ditën e djeshme.
Ai ka pranuar para hetuesve që ata e kishin planifikuar sulmin. Alia ka deklaruar se e kishin ndjekur avokatin dhe rrinin vazhdimisht duke komunikuar me agresorët e tjerë për lëvizjet e tij.
I riu ka pranuar se dhuna ka ardhur si pasojë e konfliktit të lindur mes tyre dhe avokatit për pjesën e pagesave të kontratës për pronën.
Nga ana tjetër, Dritan Nano, ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor.
Ngjarja ndodhi në ambientet e kopshtit nr. 31 në zonën e ish Bllokut, ku Mëngjesi po çonte djalin e vogël, ditën e djeshme, 29 maj.
