I vinin gjoba policisë/ Dëshmia e gazetarit dhe dy zyrtarëve të AMP-së: Më duheshin paratë. Omeri e Selimi dyshohet se ishin në lidhje

Është zbardhur dëshmia e dy personave që u arrestuan nga Krimi Kibernetik.

Gazetari Ervis Hasanaga ka deklaruar se publikimin e lajmeve e bënte pasi ishte i punësuar në këtë portal dhe paguhej 600 euro në muaj.

Sipas tij lajmet ia sillte Regina Omeri dhe ai kishte rol vetëm publikimin e tyre në faqe.

Ai ka pranuar se ishte i vetëdijshëm për punën që po bënte, por i duheshin paratë.

“Jam bërë pishman për këtë punë. E kuptova që ishte e rrezikshme, por më duheshin paratë. Duhet të kisha dyshuar në materialet që më jepnin ata, para se t’i publikoja, duhet të kisha bërë një verifikim. Kisha kohe që s’më zinte gjumi nga kjo. Jam penduar”.

Ndërkohë, zyrtarja e AMP, Regina Omeri, ka deklaruar se lajmet ia niste Kushtrim Selimi dhe kjo e fundit ia dërgonte gazetarit për publikim. Ajo ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë përfitim monetar.

Ajo ka shtuar se Selimi lajmet i publikonte sepse kishte inate me drejtuesit e policisë dhe AMP. Dyshohet se Selimi dhe Omeri kishin lidhje intime.