Aksident i katërfishtë: 10 viktima dhe rreth 40 të plagosur në Turqi, autobusi u përplas me 3 makina
Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe rreht 40 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një aksidenti të shumfishtë në Turqi.
Një autobus dhe tre automjete janë përplasur pasditen e së dielës përgjatë një autostrade në qytetin Mersin. Shkak dyshohet se ka qenë humbja e kontrollit nga drejtuesi i autobusit.
Teksa po udhëtonte drejt Stambollit, mjeti me pasagjerë ka thyer barrierat ndarëse prej çeliku duke hyrë në korsinë e krahut të kundërt dhe duke përplasur fillimisht njërin nga automjetet, pastaj dy të tjerët zinxhirë. Njëra prej makinave ka qenë kamion.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë se automjetet e vogla janë shkatërruar thuajse plotësisht, ndërsa autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet për të zbuluar shkaqet.
Sipas raportimeve, kanë qenë kalimtarët ata që kanë njoftuar policinë e më pas autoambulancat dhe zjarrfikëset kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupave nga rrënojat e mjeteve dhe I kanë dërguar drejt spitalit.
Në një reagim në X, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka përcjellë ngushëllimet për familjet e viktimave dhe ka uruar shërim të shpejtë për të plagosurit.
