FBI pikas “hajdutin” e thesareve antike, po heton thesaret antike të humbura nga Muzeu Britanik

FBI po heton shitjen e atyre që dyshohet se janë qindra thesare nga Muzeu Britanik.

Agjencia amerikane e zbatimit të ligjit ka ndihmuar gjithashtu me kthimin e 268 artikujve, të cilat muzeu pretendon se i përkasin, e që i janë shitur një koleksionisti në Uashington DC.

Muzeu Britanik njoftoi vitin e kaluar se xhevahiret e lashta, bizhuteritë dhe sende të tjera nga koleksioni i tij, mungonin, ishin vjedhur ose dëmtuar.

Një blerës, me qendër në New Orleans, i tha BBC-së se një agjent i FBI-së i kishte dërguar e-mail duke i kërkuar informacion për dy pjesë që kishte blerë në eBay.

Agjenti i FBI i tha se ata po ndihmonin Policinë Metropolitane në hetimin e sendeve të humbura ose të vjedhura nga muzeu.

Blerësi ka thënë se ai nuk ka më asnjë prej sendeve dhe në këtë pikë FBI nuk kërkoi më informacione të mëtejshme prej tij.

Muzeu Britanik thotë se nga 1500 objekte që ai vlerëson se janë vjedhur ose zhdukur, 626 janë kthyer dhe 100 të tjerë janë gjetur, por ende nuk janë në muze.

Një kurator i lartë, Peter Higgs, akuzohet nga Muzeu Britanik për vjedhje, dëmtim, shkrirje dhe shitje të objekteve të lashta. Ai i mohon akuzat. Muzeu ka thënë se beson se Higgs ka fituar rreth 100,000 paund në total.

Sipas dokumenteve të gjykatës në një çështje civile që muzeu ka ngritur kundër Higgs, ky fundit kishte të paktën një dekadë, që merrte dhe shiste sende të paregjistruara nga depot e muzeut.