A ka SPAK presion politik? Dumani: Jemi të shurdhër nga kjo pjesë! Prokurorëve u mbaron mandati! Mundësi për të rikandiduar, po të doni përjashtoni emrin tim!
Nga Komisioni i Ligjeve, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani u ndal te mandati i prokurorëve. Ai tha se mandati i tyre duhet të zgjatët, në mënyrë të tillë që të vijohet me çështjet, për t’i shkuar gjykimeve deri në fund.
“Po hyjmë në një fazë të re të sofistikimit të krimit të organizuar. Jemi para botës digjitale e po shkojmë drejt inteligjencës artificiale. Krimi po sofistikohet më shpejt se ne që do të thotë që koha e hetimit do të jetë më e gjatë e ndërkohë shkurtohet koha e qëndrimit në detyrë të prokurorit.
Ja pse institucioni nuk është gati të përballojë sfidën e re me rregullat ekzistuese. E përsëris është çështje e sfidave të reja që na presin. Konsiderojeni këtë çështje duke përjashtuar emrin tim nëse kjo ju bën punë, por mbrojeni institucionin”, tha Dumani.
Dumani u pyet nëse SPAK ka presion politik. Ai tha se SPAK është i shurdhër sa i përket presionit politik. Sipas tij, marrëdhënia e Strukturës së Posaçme është me ligjin.
Altin Dumani: Disa shefa komisariatesh e shefa krimesh janë përfshirë në krime. Por, me Policinë ne bashkëpunojmë përditë. Ne kemi marrëdhënie procedurale në rastet kur na duhet t’i thërrasim. Ne jemi të shurdhët nga retorikat politike. Jemi përgjegjës përballë ligjit dhe shoqërisë civile.
Dumani ka befasuar me një deklaratë të bërë në lidhje me vettingun në radhët e drejtësisë, prokurorë dhe gjyqtarë.
“Prokurorët e SPAK janë të pavarur dhe ndihen të tillë. Këtë pavarësi ia ka garantuar ky Kuvend me ndryshimet kushtetuese të 2017-ës. Në vlerësimin tim, garanton pavarësinë e prokurorëve. Nuk ka vend dhe nuk është e nevojshme inicimi i këtyre gjerave për garantimin e pavarësisë. A ndihen të influencuar nga lufta politike, mediatike?! Unë e thash dhe qëparë që prokurorët e SPAK kanë dhe duhet t’i bëjnë veshët shurdh ndaj çdo lloj sulmi mediatik apo politik. Sa i takon prokurorëve dhe gjyqtarëve të shkarkuar, e përmenda dhe më parë. Të çosh 4 gjyqtarë për gjykim nuk janë pak. Ne kemi regjistruar, vetëm duke marrë indicie, kemi nuhatur se mund të kemi të bëjmë me raste korruptive.
Unë jam më shumë i shqetësuar me ata që e kanë kaluar vettigun dhe vazhdojnë të jenë në sistem. Mund të jenë ndëshkuar me persona me natyre korruptive. Ky është realisht shqetësimi më i madh. Edhe nga shoqëria civile dhe nga politika, ne mbajmë shënime. Jemi të vëmendshëm. Vjet arrestuam një prokuror në detyrë, proceduam një gjyqtare në detyrë. Ne jemi shumë të vëmendshëm. Koha do e tregojë, do të takohemi pas një viti dhe këtu do të jemi. Jemi të fokusuar. Të jemi dakord se kaluam vettingun dhe nuk do të korruptohen gjyqtarët, kjo është utopi. Ne jemi të vëmendshëm.”, tha ai.
RAPORTIMI I KREUT TE SPAK NE KOMISIONIN E LIGJEVE


