LUFTA E BANDAVE/ Hoxha: “Leksi i Druve” thesar për SPAK-un! Atij nuk i afroheshin dot, më ka rrëfyer se…Nga korriku i 2019 deri në mars të 2021, koha e operimit të SkyECC

Gazetari Artan Hoxha i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion”, ku po trajtohet tema “Si vërtetohen me video, përgjimet e SPAK”, ka folur lidhur me përgjimet e aplikacionit SkyECC, që kanë zbardhur vrasje dhe tentativa vrasje të realizuara nga persona të përfshirë në grupet kriminale.

Sipas Hoxhës, këto përgjime kanë vite që kanë nisur dhe denoncimi i parë është bërë në fillim të vitit 2020.

Ai tregon se nga korriku i vitit 2019 deri në mars të 2021, është periudha e operimit të aplikacionit SkyECC.

Pjesë nga dialogu:

Blendi Fevziu: Duke patur parasysh këtë raport do të thotë që shkëmbimi i mesazheve është shumë më tepër?

Artan Hoxha: Absolutisht. Shiko për ca bëhet fjalë që ta ketë të qartë edhe publiku.

Në gjithë këtë histori që përmenda, SPAK-u ka patur mundësi të hyjë në një kampion të kësaj kohe dhe kryesisht kampioni i SPAKU-ut ka qenë kur në përdorim është përdorur platforma e SKYECC.

Blendi Fevziu: Këto janë të dhëna ekskluzive të SkyEcc?

Artan Hoxha: Janë të SkyECC, e dëshmojnë edhe aty, e marrin vesh që Encro është thyer dhe fillojnë flasin që mund ta përdorim ose mos e përdorim.

Mbaj mend që denoncimin e SkyECC ne e kemi bërë që në fillim të 2020 edhe të Encros dhe SkyECC, madje e kemi denoncimin edhe në DailyExpress në Britani.

Pra ne shikojmë nga korriku i 2019 dhe deri në mars të 2021, kjo është koha e operimit të SkyECC .

Sipas gazetarit Artan Hoxha, një personazh që do shërbente si “thesar” për SPAK-un është Aleksandër Deda. Ky i fundit tejet i njohur për policinë kriminale të Lezhës.

Sonte në studion e “Opinion”, Hoxha analizoi atentatet e kryera ndaj tij dhe motivin.

Ata që donin ta eliminonin janë po ashtu emra të lidhur me ngjarjet tipike mafioze në vend. Deda aktualisht është i shpallur në kërkim dhe dyshohet se fshihet jashtë Shqipërisë. Ajo që është interesante është se ai ka arritur t’ju shpëtojë disa atentateve.

Fillimisht në vitin 2020 në superstradën Lezhë Laç, ku ai mbeti i plagosur.

Më pas në Mars 2022, ku një xhup i fryrë me pupla arriti ta mbrojë nga plumbat dhe po ashtu tentativat e herëpashershme për ta ekzekutuar me dron. Dyshohet se ai ka pasur përplasje të forta me ish-deputetin e PS Arben Ndoka.

Kjo pasi kishte dyshime se Ardian Nikulaj dhe Deda kishin mundësuar futjen e Durim Bamit për të ekzekutuar vëllain e ish-politikanit, Aleksandër Doka.

“Është tentuar 3 herë me dron, se nuk i afroheshin dot. Ky njeri është thesar për SPAK-un. Kam folur dhe më ka treguar, më ka rrëfyer…Ai vërtet donte të shpëtonte familjen. Ai është tashmë në kërkim për dosjen “Metamorfoza 1”, ka ikur nga Shqipëria. Por deklarimet e tij kanë vlerë ligjore”, tha Hoxha./tvklan