Krijoi çiflig në Bërxull, Apeli mbyll në burg Ymer Markun, “arrest shtëpie” për ish-kryeplakun Loci

Ymer Marku, ish-kryetari i komunës Bërxullë është lënë në burg nga Gjykata e Apelit Tiranë, e cila vendosi sot të lerë të paprekur vendimin e shkallës së parë, që kishte vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për zyrtarin.

Marku akuzohen për “Falsifikim dokumentesh” dhe Pastrim të produkteve të veprës penale, pasi gjatë kohës kur ka drejtuar ish-komunën e Bërxullës në Tiranë, ka abuzuar në dhjetëra raste të tjetërsimit të pronave në këtë zonë.

Gjyqtari Dritan Hasani, ditën e sotme vendosi të lerë në burg Ymer Markun, Kujtim Balliun me detyrë ish-drejtor i administrimit dhe menaxhimit të tokës.

Ndërsa ka zbutur masën e sigurisë për ish-kryeplakun, Agim Locin, ndaj të cilit është vendosur “arrest shtëpie”.

Teksa prokuroria e Tiranës, prej më shumë se 1 viti po heton ish-kryetarin e komunës Bërxullë, Ymer Marku, dhe disa zyrtarë të tjerë si të përfshirë në tjetërsimin e dhjetërave sipërfaqe toke në Bërxullë, një hetim paralel për këtë çështje, tashmë është hapur në SPAK.

Prej disa ditësh prokuroria e Posaçme SPAK, ka nisur një hetim ndaj ish-zyrtarit të lartë, Ymer Marku, për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Marku do përballet me një kallëzim penal të depozituar në SPAK nga Arben Tafa, i cili më parë ka shërbyer në një funksion tek ish-komuna Bërxullë.

Mësohet se Arben Tafa, gjatë kohës kur komunën Bërxullë e drejtonte Ymer Marku, është punësuar prej këtij të fundit si hidraulik i kësaj komune.

Por gjatë kësaj kohe, ka rezultuar se emri i hidraulikut Arben Tafa, është përdorur si maskim për tjetërsimin e disa pronave që ndodhen në zona të ndryshme të Bërxullës.

Ky nuk është rasti i parë pasi, prokuroria po heton Markun dhe persona të tjerë në disa episode të tjetërsimit të pronave si në rastin e vjedhjes së 7 mijë metra katror dhe më pas shitjes tek Arbër Abazi, tjetërsimin e 10 mijë metra tokë, 20 mijë metrave ullishtë dhe në një rast tjetër 4 mijë metra tokë të regjistruar në emër të ish-hidraulikut të Komunës dhe 10.800 metra të regjistruar në emër të djalit të dajës së tij dhe më pas shitur tek Arbër Abazi.