Dëmtim në momentin më të keq të sezonit, Europiani me Spanjën në dyshim
Ditët e fundit po flitej gjithnjë e më shumë për një rikthim të Iscos në kombëtaren e Spanjës për Europianin e kësaj vere.
Por, shanset e lojtarit të Betis për të qenë në Gjermani, morën së fundmi një goditje të fortë me fantazistin që ka pësuar një dëmtim në pulpë dhe do të mungojë në ndeshjen e LaLiga-s përballë Real Sociedad.
“Është e vështirë”, u shpreh shkurtimisht Isco për gazetarët e mbledhur në qendrën mjekësore, teksa ish-lojtari i Real Madrid kishte nevojë për ndihmën e patericave.
Tashmë, Isco është në një garë me kohën dhe për t’u rikthyer i gatshëm për trajnerin e Spanjës, Luis de la Fuente që pak ditë më parë u shpreh se po e mendonte grumbullimin e 32-vjeçarit për Euro 2024.
Kujtojmë se Spanja bën pjesë në Grupin B të Euro 2024 së bashku me Shqipërinë, Italinë dhe Kroacinë.
