Dhuna dhe vrasja e grave, psikologia: Të mos merremi me viktimat, por me autorët. Po shtohen dhunuesit kronikë
Dhuna në familje dhe kryesisht ndaj grave vijon të trondisë shoqërinë shqiptare ku një sërë ngjarjesh të rënda janë shënuar në javët e fundit.
Për të kuptuar më shumë mbi këtë fenomen dhe realitetin mmbi atë që po ndodh me gratë shqiptare, që janë në shumicën e rasteve dhe viktima të burrave të dhunshëm, në studion e lajmeve në “Ora News” ishte e ftuar psikologia Lorela Garuli.
Vrasja e nënës në Lezhë nga i biri, apo shqiptares 40-vjeçare dje në Athinë nga i shoqi, apo edhe tragjedia në Shkodër ku nëna u mbyt në Bunë bashkë me 3 fëmijët e saj, ishin ngjarjet e dhimbshme në fokusin e analizës së psikologes.
“Unë do të thoja jo se çfarë po ndodh me gratë që janë viktimat e dhunës, por çfarë po ndodh me burrat sot. Sepse ne merremi përgjithësisht se çfarë ndodh me viktimat që janë pasoja në këto raste, dhe nuk merremi me shkakun.
Dhe kjo lidhet me një emërues të përbashkët që lidhen me shëndetin mendor. Rasti i djeshëm kishte të bënte me një rast të një abuzuesi kronik, i cili nuk e pranonte dot ndarjen nga gruaja e tij.
Në Angli 10 vitet e fundit ka një fenomen të shtuar të numrit të vetëvrasjeve nga gratë.
Rasti i Lezhës ishte tregues ku i biri që vrau të ëmën e moshuar, dhe rezultoi se ishte një person që vuante me çrregullim të rëndë të shëndetit mendor. Dhe këtu besoj se institucionet shtetërore nuk kanë funksionuar zinxhir.
Në rrugët e qyteteve shikon plot raste ku persona që vuajnë nga shëndeti mendor dhe ata vërehen lehtësisht. Pra, është i duksshëm fakti që këta persona nuk trajtohen nga strukturat dhe shërbimet shtetërore”, theksoi ndër të tjera, psikologia Lorela Garuli.


