Gazetari komenton nga Athina takimin e Ramës: Emocion i bukur, premtoi një të ardhme më të mirë. Ja si u pa nga mediat greke
Nga Athina gazetari Edmond Guri në një lidhje me skype në studion e lajmeve në “Ora News” komentoi takimin e sotëm të kryeministrit Edi Rama me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi.
“Ishte një ditë shumë e veçantë, një moment krenarie dhe një emocion i bukur, ku vetë kryeministri premtoi një të ardhme më të mirë.
Nuk ka ndodhur në kaq vite një takim të këtij niveli ku i bëri dhe një sfidë kryeministrit të Greqisë për të kthyer vëmendjen tek shqiptarët dhe për të përmbushur detyrat e vendit të tij në raport me fqinjët.
Shqiptarët jetojnë në mënyrë dinjitoze edhe pse me problematika të shumta. Ndaj mendoj se diskutimet duhen bërë në mënyrë më serioze sesa në fjalime në takime të tilla.
Mesazhi i Ramës përmes vargjeve të Naim Frashërit ishte një moment i fortë dhe sfidues, duke e ftuar kryeministrin e Greqisë për të shtrënguar duart për një aleancë shumë të fortë bashkëpunimi ekonomik dhe për të tejkaluar problemet e së shkuarës. Sjellja e opozitës nuk është serioze sa i përket fabrikimit të lajmit "fake" atë të importimit të shqiptarëve në sallë nga Tirana”, u shpreh ndër të tjera gazetari Edmond Guri.


