"Surrogacia", Berisha: Nismë monstruoze! Rama ka zgjedhur konceptin e fermës për nënat shqiptare. Krim kundër kombit!

Për ish-kryeministrin Sali Berisha projektligji për surrogacinë i propozuar nga Qeveria është nismë monstruoze, ku tha se Edi Rama po zbaton doktrinat e Sorosit dhe Çubrilloviçit.

Pjesë nga fjala online e ish-kryeministrit Sali Berisha në takimin e mbajtur në selinë blu me ekspertë dhe grupet e interesit mbi projektligjin për surrogracinë.

Faleminderit shumë dhe një përshëndetje të përzemërt për ju zonja Komani, në veçanti për organizatorët e kësaj konference, për profesor Akil Panon, pastorin e pamposhtur në mbrojtje të vlerave më themelore të moralit të një shoqërie, në mbrojtje të familjes.

Koalicionin e tij, që drejton, Aleanca për Familjen.

Një përshëndetje të përzemërt kam për deputetin Tritan Shehu, deputetin Petrit Vasili dhe të gjithë ata, të cilët në momentet më të para të shfaqjes së kësaj nisme, do ta quaja pa abuzim në semantikë, nismë monstruoze, çnjerëzore, antishqiptare të një regjimi që i ka vënë vetes mision historik shkatërrimin e kombit shqiptar më shumë se rreth 40 pushtime që ky komb ka njohur në shekuj dhe mijëvjeçarë. Regjimit të Edi Ramës.

Pas instalimit të një kuadri politik shpopullues të këtij vendi, kuadër që ju imponoi rreth 35 përqind të shqiptarëve të braktisin vendin e tyre në një hark kohor 8-vjeçar.

Kuadër që zëvendësoi sigurinë dhe ligjin me antishtetin dhe narkoshtetin, tani në përputhje të plotë me doktrinën e Çubrilloviçit, i cili në epiqendër të betejës kishte nënën shqiptare, ky famëzi që në histori ka ekuivalent vetëm Edi Ramën, kishte përcaktuar si objektiv kryesor nënën shqiptare për të shkatërruar kombin shqiptar.

Edi Rama në angazhimin e tij, ky antishqiptar në çdo aspekt, në angazhimin e tij për rrënimin e këtij kombi zbret tani në themelimin e kombit.

Në themelin e shoqërisë, në shenjtërinë e kombit dhe të shoqërisë, familja.

Ai zbaton doktrinën e një monstre tjetër të njerëzimit pas Karl Marksit, Xhorxh Sorosit.

Midis doktrinës komuniste për familjen në finalen e ndërtimit të shoqërisë dhe doktrinës së Xhorxh Sorosit, ndryshojnë vetëm termat, por rezultatet janë të njëjta.

Të dashur të pranishëm, qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë takim të censuruar kushtuar një problemi themelor të kombit dhe të censuruar në mënyrën më të turpshme, më skandaloze nga shumica dërrmuese të medieve të kontrolluara nga qeveria.

Paçka se të gjithë pronarët e këtyre medieve kanë familje.

Punonjësit e tyre kanë familje dhe kjo konferencë ka si objektiv kryesor të paraqesë para shqiptarëve rrezikun madhor të ligjit Rama për surrogacinë.

Për transformimin e nënës shqiptare, e cila duhet t’u them këtu se pa ndershmëri, pa moral, pa integritetin e saj ne si komb do ishim shuar jo një, por tre herë, ndoshta shekuj më parë.

Dhe tani Edi Rama me ligjin e tij zgjedh dekonfigurimin e plotë.

Shndërrimin pasi futi konceptet e superspekulantit Xhorxh Soros për Prindin 1 dhe Prindin 2, tani zgjedh konceptin e fermës apo fasonerisë për nënë shqiptare.

Zgjedh konceptin e dekonfigurimit të plotë të familjes.

Kjo është një përpjekje jashtë çdo lloji imagjinate.

Me këtë rast unë përshëndes Parlamentin Evropian që në një akt të përgjegjshëm, me një shumicë të jashtëzakonshme votash, shpalli surrogacinë që do të instalojë në Shqipëri Edi Rama me ligjin e tij, një krim evropian.

Për Shqipërinë, ky është krim kundër njerëzimit, kundër kombit shqiptar. Të dashur miq, mendja e mbrapshtë e këtij njeriu, që ka mision shkatërrimin e kombit, nuk ndalet.

Pas transformimit të familjes së shenjtë shqiptare, vlerave të saj, në kavie laboratorike, kalon dhe në metoda të tjera.

Hap diapazonin për abortin, për vrasjen e foshnjave.

Me qëllimet më të mbrapshta, më antikombëtare, më çnjerëzore.

Në një kohë kur standardi ekzistues është një standard botëror.

Edi Rama nuk ndalet vetëm në konceptet e tij antifamilje, antishqiptare, por tani kërkon me ligj të nxisë sterilizimin në një vend në të cilin ka tre vite që vdekjet dominojnë mbi lindjet.

A nuk është kjo një përpjekje ligjore antishqiptare, për të ulur me të gjitha mënyrat lindshmërinë dhe për të përshpejtuar shkatërrimin sa më shpejt të kombit shqiptar?

Por, miqtë e mi, ky ligj i avancuar në parlament, në stilin e hienave pa asnjë konsultë me qytetarët, me autoritetet fetare, të cilat unë i përshëndes shumë përzemërsisht për reagimin e tyre të fuqishëm në mbrojtje të vlerave njerëzore dhe hyjnore të familjes dhe kombit, dëshmon qartë se Edi Rama donte me çdo kusht të kalonte ligjin e shkatërrimit të familjes shqiptare.

Si një mekanizëm të ri të nxitjes së shpopullimit më të shpejtë të këtij kombi. Të tjetërsimit të këtij kombi.

Në shekuj dhe mijëvjeçarë, shoqëritë e qytetëruara iu kanë dhënë problemet më të mira, kanë zgjidhur të gjitha problemet qoftë mungesën e çifteve të fëmijëve përmes adaptimit etj me radhë.

Kurse ky kërkon që të shndërrojë Shqipërinë jo më në qendër të shitjeve të organeve për transplant, por të tregtisë së foshnjave.