PAMJET + EMRAT/ Pylli në Krujës i mbjellë me kanabis, dy të arrestuarve iu gjenden armë dhe municion luftarak

Komisariati i Policisë Krujë, në vijim të punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, bazuar dhe në inteligjencën policore, ka finalizuar operacionin e koduar “Monitorimi”.

Si rezultat i tij u arrestuan në flagrancë shtetasit Shkëlqim Sala, 55 vjeç, dhe Mariglen Muka, 23 vjeç, të dy banues në Mukje, Krujë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike në dy parcela në pyllin e fshatit Mukje, Krujë. Gjatë kontrollit në këto parcela, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 130 bimë të dyshuara narkotike cannabis.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Sh. S., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një krehër arme dhe municion luftarak. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.