11 REKOMANDIME 9 INSTITUCIONEVE/ AP: Gazetari Elton Qyno u izolua pa vendim. E mbyllën, kur gjykata nxori 3 vendime kundër tij

Avokati i Popullit, përmes një raporti voluminoz prej 87 faqe ka denoncuar në 9 institucione kushtetuese, rastin e paligjshmërisë dhe veprimeve abuzive në kundërshtim, me çdo të ndrejtë ndërkombëtare, që prokuroria e posaçme SPAK kryevi në 13 dhjetor 2023 ndaj gazetarit të Kronikës së Zezë, Elton Qyno.

Raporti mori shkas nga një ankesë që gazetari Qyno, depozitoi në muajin Dhjetor 2023 në institucionin e Avokatit të Popullit, i cili më pas mori në monitorim rastin, ku pas 4 muaj verifikime ditën e djeshme AP, njoftoi përmes një raporti zyrtar 9 institucione Kushtetuese, mbi paligjshëmrinë e veprimeve të kryera nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme.

Në materialin voluminoz thuhet se:

”...në rastin objekt shqyrtimi, kërkesat për marrjen e sekuestrove dhe vleftësimi i tyre nga gjykata është bërë ndërsa gazetari Qyno ishte brenda godinës së SPAK dhe pa mundësi lëvizjeje. Në kushtet kur Qyno ishte i izoluar në ambientet e SPAK, ai nuk është njoftuar për seancat e zhvilluara më datën 13 dhjetor 2023, në orët 14:20, 15:15 dhe 15:55 në GJKKO në mënyrë që të merrte pjesë në këto séance.... Është e rëndësishme të evidentojmë, se prokurori ka qenë në dijeni të faktit se personin ndaj të cilit po kërkonte këto masa e kishte të izoluar në ambientet e veta të organit të prokurorisë dhe përsëri, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për t’í dhënë mundësinë këtij shtetasi të jetë prezent në secilën prej seancave gjyqësore të zhvilluara...”.

“...mundësia e marrjes së një vendimi pa praninë e palës s’mund e s’duhet dhe të kthehet në rregull...”-thuhet në raport.

Raporti i është dërguar SPAK-ut, KLGJ-së, KLP-së, Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykatës së Posaçme të Apelit, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Ministrisë së Drejtësisë, Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut.

Raporti lëshon 11 rekomandime për diskutim të hapur mes këtyre institucioneve, duke folur për herë të parë mbi abuzimet e kësaj strukture hetimore ndaj të drejtave të njeriut, të drejtën për të pasur një avokat mbrojtës, cënimi i jetës familjare dhe fëmijëve, të drejtat ligjore të konfidencës profesionale dhe të drejtat e përcaktuara nga GJEDNJ dhe KEDNJ.

Në pikën nr. 2 të rekomandimeve kërkohet analizimi nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor të gjetjeve dhe konstatimeve të institucionit të Avokatit të Popullit gjatë shqyrtimit të ankesës së gazetarit Elton Qyno dhe vlerësimin e masave që duhet te ndërmerren për të garantuar të drejtën kushtetuese për një proces të rregullt ligjor në çdo fazë të hetimit dhe/ose gjykimit.

Një nga elementët e tjerë shqetësues që u evidentua gjatë shqyrtimit të ankesës së gazetarit Elton Qyno, është edhe moslejimi i pjesëmarrjes së përfaqësuesit të Avokatit të Popullit që të ishte i pranishëm në seance gjyqësore, veprim i cili në vlerësimin e AP përbën cënim të mandatit të këtij institucioni kushtetues.

Nisur nga kjo situatë mes rekomandimeve është dhe pika Nr. 4 duke kërkuar:

”...marrjen e masave të nevojshme nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për ndryshimin e përmirësimin e “Udhëzuesit standard të marrëdhënieve të gjykatave me publikun dhe median”, miratuar me Vendimin Nr. 716, datë 06.12.2023. Në këtë udhëzues rekomandohet të shtohet një dispozitë e posaçme me qëllim që të garantohet pjesëmarrja e Avokatit të Popullit ose e përfaqësuesve të autorizuar prej tij dhe të pajisur me CSP edhe në seancat gjyqësore të cilat zhvillohen me dyer të mbyllura...”.

“...Avokati i Popullit vlerëson se presioni ndaj gazetarëve, fizik apo psikologjik, rrezikon të drejtën për integritet personal, jetën e tyre dhe lirinë e mendimit dhe të shprehjes. Gjithashtu, mungesa e kujdesit të duhur në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e të gjithë personave apo strukturave që janë përgjegjëse, mund të rezultojë në një shkelje shtesë të të drejtave për akses në drejtësi dhe garancitë gjyqësore të të prekurve dhe anëtarëve të familjeve të tyre...”-thuhet në raportin prej 87 faqe.

Vlen të theksojmë faktin se, sekuestrimi i pajisjeve dhe të dhënave të gazetarit Qyno në kundërshtim me standardet vendase dhe ndërkombëtare ka sjellë reagimin e organizmave ndërkombëtare, ndër të cilët edhe Komiteti për të Drejtat e Njeriut, Procedura e Komunikimeve Individuale nën Protokollin Opsional (strukturë e OKB me seli në Gjenevë, Zvicër).

Ne vlerësojmë thuhet në raport se: “...nga dokumentacioni që administrojmë dhe informacioni që kemi, nuk u provua të kishte ndonjë urgjencë për marrjen e këtyre masave ndaj gazetarit Qyno si nga SPAK, ashtu edhe nga GJKKO dhe për më tepër pa e dëgjuar atë, ndonëse ai ndodhej në ambientin e këtyre strukturave. Atij nuk iu dha mundësia e dëgjimit dhe mbrojtjes para gjykatës...”.

Avokati i Popullit çmon se për shkak të këtyre veprimeve (sekuestrimit të pajisjeve elektronike si të telefonave dhe kompjuterave) rrezikohen edhe të dhënat konfidenciale profesionale dhe private të gazetarit Elton Qyno.

Sipas AP, kjo mund të sjellë si pasojë që gazetari të jetë në një përgjim të përjetshëm për shkak të të dhënave konfidenciale që ka të ruajtura në këto pajisje, të dhëna këto të krijuara në kohë të ndryshme dhe që nuk kanë aspak lidhje me shkakun e kontrollin, por i përkasin të dhënave personale që gëzojnë mbrojtje nga kushtetuta dhe legjislacioni i brendshëm dhe ndërkombëtar.

SPAK ka pasur si qëllim, vetëm zbulimin e burimeve të gazetarit.

Një nga argumentet për të arritur në këtë konkluzion është edhe fakti se procedimi nr. 245/2023 ka nisur në datën 12 dhjetor 2023 dhe kontrolli e sekuestrimi i pajisjeve dhe të dhënave elektronike të ankuesit, është kryer në 13 dhjetor 2023, pra vetëm një ditë më pas.

Sikurse rezulton në mënyrë të qartë, organi i akuzës nuk ka patur as kohën, as mundësitë, as vullnetin dhe nuk ka konsideruar mjete të tjera për të kërkuar e zbuluar shkelësin e ligjit, por është drejtuar drejtpërdrejtë dhe ekskluzivisht te gazetari, pa ezauruar paraprakisht mundësitë e tjera të hetimit.

Sipas vlerësimit Avokatit të Popullit, edhe GJKKO e të dy shkallëve (ajo e shkallës së pare dhe e apelit) nuk kanë bërë një vlerësim të kritereve për këtë ndërhyrje në lirinë e shprehjes së ankuesit.

Prokuroria i ka orientuar hetimet vetëm në identifikimin e burimit të informacionit dhe jo në pyetjen e personave të identifikuar si subjekte të mundshme të veprës penale, të cilët janë vetë prokurorët dhe OPGJ-të e hetimit të dosjes penale.

“...nuk ka asnjë arsye tjetër të vlefshme për të justifikuar nevojën e 7 orëve pyetje për një çështje të kufizuar, që nuk ka e s’mund të ketë nevojë për sqarime të kësaj natyre. As në komunikimin zyrtar nuk shpjegohet fakti i mbajtjes së ankuesit për 7 orë në zyrat e këtij organi, për një çështje që nuk rezulton se ka nevojë për kohë të gjatë për t’u sqaruar...”-thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.