Rriten tensionet në koalicionin italian për lidhjet me AfD-në gjermane
Tensionet mes dy partive më të vogla në koalicionin tripalësh të Italisë janë rritur për shkak të lidhjeve me partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) të Gjermanisë përpara zgjedhjeve evropiane muajin e ardhshëm.
Pas një njoftimi nga zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini se partia e tij “Lega” nuk do të votonte për të rizgjedhur presidenten aktuale të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zëvendëskryeministri tjetër i partise “Forza Italia”, Antonio Tajani iu përgjigj me një refuzim të qartë AfD-së – një parti me të cilën “Lega” e Salvinit mban lidhje të ngushta.
“Partia ime nuk do të jetë kurrë aleate e AfD-së, pasi është një alternativë ndaj të gjitha vlerave tona”, tha Tajani, i cili është edhe ministër i Jashtëm.
“Lega” dhe “Forza Italia” janë dy partnerët më të vegjël në koalicionin e krahut të djathtë të kryeministres Giorgia Meloni, e cila është lidere e partisë “Fratelli d’Italia”.
“Lega” e ministrit të Transportit Salvini mban kontakte të ngushta me AfD-në.
“Forza Italia”, nga ana tjetër, e themeluar nga kryeministri i ndjerë Silvio Berlusconi, i përket të njëjtit grupim partiak në Evropë si partia e Unioni Kristiandemokrat të Von der Leyen.
Në sondazhet për zgjedhjet evropiane në qershor, si “Forza Italia” ashtu edhe “Lega” janë aktualisht nën shifrën e 10%, shumë prapa “Fratelli d’Italia” të Melonit. Ajo është shfaqur vazhdimisht së bashku me Von der Leyen, muajt e fundit.


